Tartufi Shqiptar – Biznesi Fitimprurës që Sjell Miliona

2.8k 2

Rreth 3.000 Euro për një kilogram kërpudha. Duket një çmenduri dhe në fakt është, por tartufi e ka piacën e lartë.

Aq sa në Itali dhe Francë, gjuetarët e tartufit i stërvisin qentë e llojit Lagotto Romagnolo. Në mënyrë që të nuhasin kërpudhën më të shtrenjtë në botë.

Në Shqipëri, kjo kërpudhë e rrallë rritet gjerësisht.

Askush nuk e di për çmimin tejet të shtrenjtë që ka, për më tepër që qentë e huaj po vijnë e po na e nuhasin.

Tartufi shqiptar është shumë i ngjashëm me kushëririn e tij francez, por ato kushtojnë shumë më pak.

Por ndodh shpesh që tartufi shqiptar të merret dhe të shitet në tregun evropian me shumëfishin e vlerës.

Aq me vlerë është tartufi i bardhë saqë është i kuotuar edhe në bursë, ku çmimet fillojnë nga 300 në 1000 Euro.

Mungesa e një legjislacioni që të mbrojë këtë bimë të rrallë ka bërë që Shqipëria të humbasë me miliona euro të vjedhura nga “gjuetarë” të paligjshëm të tregut vendas dhe atij të huaj.

Ata mbërrijnë në Shqipëri kryesisht nga Italia por dhe vende të tjera dhe jenë kërkues të tartufit. Vjedhja e të cilit do t’u siguronte atyre përfitime të mëdha.

Kjo, pasi janë konstatuar edhe transportime të zhardhokëve të ngjashëm me pataten drejt Italisë. Për të cilat nuk është se ka një kuadër të përcaktuar ligjor që e ndalon kalimin jashtë kufijve.

Gjuetia e Tartufit 

Për gjetjen e tartufit, “gjuetarëve” u nevojiten edhe qentë e stërvitur mirë, që janë edhe maskimi i tyre më i mirë.

Më parë përdoreshin derrat të cilët lëshohen në pyll.

Aroma e tartufit i ndjell, pasi ka të njëjtat feromone seksuale si të mashkullit, duke bërë që në këtë mënyrë të gjejnë bimën.

Tartufi është një lloj kërpudhe që rritet në rrënjët e lisit, blirit, pishës dhe shelgut të egër.

Zakonisht ai rritet në tokë ranore dhe nuk ka as rrënjë, as gjedhe, as degë. Kjo specie është në formën e zhardhokut dhe e merr ushqimin nga rrënjët e bimëve të tjera.

Ai thith prej rrënjëve kripëra minerale, të cilat janë pikërisht ato që e bëjnë kaq të kërkuar dhe të çmuar këtë specie të rrallë.

Në natyrë gjenden disa lloje tartufë. I ziu është ai që haset më shpesh dhe që arrin një vlerë deri në 350 euro për kilogramë.

Tartufët e bardhë ngjajnë me zhardhokët e patates. Por me formacion më të çrregullt, të cilët çmohen më shumë, për shkak të vlerave ushqyese dhe shijeve që mbartin.

E veçanta e këtyre kërpudhave është se aroma e tyre varet nga bima në të cilën rritet.

Tartufi më i shtrenjtë rritet në rrënjët e lisit dhe merr aromën e kësaj peme.

Zhardhoku i tartufit e merr formën nga formacioni i terrenit dhe nga rrënjët e bimëve në të cilat paraziton.

Sa më i madh të jetë zhardhoku i tartufit aq më shumë vlerësohet e për këtë arsye i rritet edhe çmimi.

Kërpudhat e zonës së Reçit në Malësi të Madhe janë gjithashtu tejet të kërkuara dhe eksportohen në Francë.

Këto kërpudha rriten në zonën e gështenjave dhe mbulohen nga degë dhe gjethe gështenjash.

Këto kërpudha të bardha të cilësisë së lartë, të cilat pak kush i njeh shiten më pas restorantet e Tiranës dhe Durrësit.

Për shkak se kultivimi i kësaj specieje nuk ka arritur të imitojë asnjë prej cilësive të saj në gjendje të egër, e ka rritur tej mase çmimin në treg.

Tartufi është padyshim një thesar i fshehur në pyjet tona. Për të cilin ne dimë kaq pak dhe që kemi humbur kaq shumë. Tartufi është një biznes me fitim marramendës./AgroWeb.org