Me valët e nxehtësisë që po shkaktojnë temperatura rekord në të gjithë vendin, ju mund të pyesni se si të veproni për të përballuar ditët e nxehta të stinës.
Gjetja e mënyrave për t’u ruajtur nga nxehtësia nuk është vetëm për rehati, por është gjithashtu e nevojshme edhe për shëndetin tuaj.
Kur trupi mbinxehet, jo vetëm që do të ndiheni vapë, por kjo mund të ketë edhe efekte shkatërruese për shëndetin tuaj.
Për t’ju ndihmuar të përballeni me temperaturat e larta, AgroWeb.org ndan me ju disa këshilla shumë të vlefshme nga ekspertët mjekësorë.
Qëndroni sa më shumë në ambientet e brendëshme
Një nga mënyrat më të mira për të përballuar të nxehtin është ta shmangni krejtësisht atë, duke qëndruar në ambientet e brendëshme që kanë një ajrosje të mirë.
Nëse iu duhet të dilni, kufizoni kohën e qëndrimit jashtë, duke bërë pushime të shpeshta në zona me ajër të kondicionuar për t’u freskuar.
Mbani shtëpinë tuaj sa më të freskët që të jetë e mundur
Nëse nuk keni kondicioner, ju mund të parandaloni që dielli të ngrohë shtëpinë tuaj duke mbyllur dritaret ditën dhe duke i hapur gjatë natës, për të lejuar ajrin e freskët të futet brenda.
Gjithashtu, shmangni ndezjen e furrës ose pajisjeve të tjera që mund të rrisin temperaturën e ambientit të brendshëm.
Mbani ujë me vete
Ekspertët e shëndetit thonë se është e lehtë për trupin të humbasë ujë përmes djersitjes kur ekspozohet ndaj temperaturave të larta.
Për këtë arsye, ju mund të dehidratoheni shumë shpejt kur temperaturat ekstreme zgjasin për një periudhë të zgjatur kohe.
Prandaj, për të zëvendësuar lëngjet e humbura gjatë ekspozimit ndaj nxehtësisë është e rëndësishme të mbani me vete ujë.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu të pini ujë edhe nëse nuk ndjeheni të etur, kështu do të parandaloni dehidrimin.
Vendosni kompresa të ftohta
Ju mund të vendosni kompresa të ftohta ose pako akulli në zonat kryesore të trupit tuaj, siç janë qafa dhe kyçi i duarve.
Por kini kujdes të mos vendosni akull direkt në lëkurë, pasi kjo mund të shkaktojë djegie.
Këshillohet që të mbani një copë ose një peshqir midis lëkurës tuaj dhe burimit të ftohtë.
Ju gjithashtu mund të bëni një dush ose banjë të freskët për t’u qetësuar, por shmangni ndryshimet e papritura të temperatures. Një rënie e menjëhershme e temperaturës mund të jetë e dëmshme për trupin.
Vishni rroba të lira, të lehta dhe me ngjyra të çelta në ditët e nxehta, sepse ngjyrat e errëta thithin nxehtësinë.
Dhe sigurohuni që të vendosni krem kundër diellit në çdo zonë të trupit tuaj që nuk mbulohet nga veshja.
Si të dalloni lodhjen nga i nxehti?
Lodhja nga i nxehti varion nga simptomat e lehta deri tek ato seriozet, duke përfshirë:
- etjen e tepërt
- ngërçet e muskujve
- të përziera
- humbje të përqëndrimit
- djersitje e tepruar
- lodhje
- Kur temperatura e trupit arrin më shumë 40 ° C, simptomat mund të jenë të tilla si:
- dhimbje koke e fortë
- konfuzion
- humbje e vetëdijes
- ndërprerje e djersitjes
Foshnjat, fëmijët dhe njerëzit e moshuar kanë një shans më të lartë për të përjtuar këto shqetësime nga i nxehti, sepse trupat e tyre e kanë më të vështirë të rregullojnë temperaturën e trupit.
Njerëzit të cilët janë të sëmurë veçanërisht nga probleme kronike të zemrës, diabeti, veshkat ose marrin ilaçe të caktuara mund të jenë gjithashtu në rrezik./AgroWeb.org