3.6k 0

Si të Pastroni Mishin e Pulës me Uthull Molle dhe Metoda të Tjera

Kur gatuani recetat tuaja të preferuara freskia dhe pastërtia e produkteve është shumë e rëndësishme.

Mishi i pulës është një ndër produktet më të zakonshme, të cilin amvisat e përdorin shpesh në gatimin e supave, gjellëve por edhe tavave e recetave të ndryshme.

Por ku vjen puna tek pastrimi i mishit të pulës procesi është pak specifik dhe nuk mund të mjaftohet thjeshtë me ujë të bollshëm.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë metodën perfekte të pastrimit të mishit të pulës para se ta gatuani, një metodë e thjeshtë por shumë ndihmuese për të larguar të gjitha papastërtitë, mikrobet dhe bakteret.

Kjo metodë e thjeshtë ka si përbërës kryesor pastrues uthullën e mollës dhe lëngun e limonit.

Aciditeti tek uthulla dhe lëngu i limonit ndihmon në dizinfektimin e lëkurës së pulës dhe zbutjen e mishit të saj.

Kur mishi është i ndarë në pjesë

AgroWeb.org ju udhëzon të merrni një tas prej qelqi, të shtoni aty dy  filxhanë çaji me ujë, tre apo katër lugë gjelle uthull molle dhe lëngun e një gjysme kokrre limoni.

Përzjeini të gjitha bashkë.

Ndërkohë, pastroni si fillim copat e mishit të pulës në ujë të rrjedhshëm, e më pas vendosini të gjitha copat e mishit të pulës në tasin ku keni përzjerjen me uthull e lëng limoni.

Nëse të gjitha copat e mishit nuk arrijnë të mbulohen me këtë masë atëherë shtoni edhe pak uthull tjetër dhe lëng limoni.

Lërini të qendrojnë në këtë përbërje përreth 15-20 minuta.

Më pas, shpëlajini copat e mishit me ujë të rrjedhshëm dhe përmes një pecete kuzhine thani lëngjet e mishit.

Pas këtij procesi, mishi është gati për përgatitjen e recetave të ndryshme.

Kur pula është e paprerë

 Në këtë rast, AgroWeb.org ju udhëzon të opastroni si fillim pulën me ujë të rrjedhshëm.

Përgatisni përzjerjen si më sipër, vendosni pulën në masën e përgatitur përreth 25 minuta duke e kthyer nga të dyja anët herë pas herë.

Më pas shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm dhe thajeni me një pecetë të pastër kuzhine. Më pas, pula është gati për të vijuar me procesin e gatimit.

Edhe një tjetër metodë

Një tjetër metodë për pastrimin e pulës është edhe zhytja e pulës së paprerë apo të prerë në thella në një tas me ujë dhe turmerik.

Turmeriku është një erëz e njohur për përdorimet fantastike të saj në gatime por edhe për vlerat medicinale gjithashtu. Turmeriku gjendet në çdo dyqan ku shiten erëza të ndryshme.

Në një gotë çaji me ujë shtoni një lugë çaji, përgatisni masën derisa copat e mishit të mbulohet dhe procesi kohor vijon si më sipër.

Në këtë mënyrë, turmeriku do të ndihmojë si në rastin e uthullës dhe lëngut të limonit të largojë papastërtitë dhe bakteret që gjenden në lëkurën e pulës./ AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.