484 0

Si Vendosen Çmimet e Katër Produkteve të Shportës?

Nëse çmimet e orizit, miellit, vajit e sheqerit shtrenjtohen në tregjet e huaja, edhe Bordi i Transparencës do t’i rrisë më tej ato.

Kështu deklaruan përfaqësuesit e Ministrisë së Financave sipas të cilëve ashtu si për karburantet, edhe reagimet e bordit të çmimeve të shportës do t’i ‘nënshtrohen’ këtyre luhatjeve , ndërsa nuk dhanë detaje se për sa kohë do të mbeten në fuqi çmimet tavan të fiksuara për këto katër produkte.

Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale: Lufta ka krijuar problematikat e veta, operatorët janë duke kërkuar gjetjen e tregjeve të reja. Bordi do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme ndryshimin e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Që do të thotë se nëse këto çmime do të rriten, do të rriten patjetër edhe në vendin tonë sepse kostot e blerjes së tyre do të rriten pwr kompanitë, por nëse do të ulen, edhe bordi do i rishikojë në ulje.

Por, si i përcakton bordi çmimet? Referencë merren markat e importuesve më të mëdhenj që furnizojnë tregun.

Lera: Kemi marrë në konsideratë markat bazë, 4-5, importuesit kryesor, importet e tyre në 10 ditët e fundit, me çfarë çmimi e kanë blerë sipas faturave, shpenzimet operative dhe ka rezultuar një çmim i ponderuar për kompanitë që importojnë rreth 90% të sasisë.

Sipas Lerës, bordi ka vendosur të qëndrojë në 4 produkte bazë, por nëse konstatohet rritje çmimi edhe për artikuj të tjerë me ndikim te konsumatorët, nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së tyre.

Burimi: Top Channel