Tavë Me Makarona Dhe Lulelakër E Pjekur Në Furrë

965 0

Makaronat të kombinuara me lulelakër janë një pjatë e shijshme, e thjeshtë dhe e shpejtë për t’u përgatitur.

Një recetë ndryshe nga e zakonshmja, me një perime që është me bollëk në muajt e dimrit dhe që fal plot të mira për organizmin.

Kjo pjatë kremoze dhe e shijshme falë beshamelit, kur piqet në pikën e duhur bëhet e butë nga brenda dhe krokante dhe e artë nga jashtë.

Nëse jeni në kërkim të recetave të reja dhe nuk keni frikë të eksperimentoni, AgroWeb.org iu sugjeron të ndiqni recetën si më poshtë,

Përbërësit

360 g makarona tub

600 gr lulelakër

250 gr djathë kaçkavall i butë

100 gr djathë parmixhan

500 ml beshamel

1 thelpi hudhër

½ spec djegës

Kripë dhe piper për shijë

Vaj ulliri

Përgatitja

Fillimisht përgatisni të gjithë përbërësit e nevojshëm. Pastroni lulelakrën, hiqni gjethet dhe prisni tufat e vogla.

Vendosni një tenxhere me ujë që të vlojë, hidhni sipër lulelakrat dhe ziejini për 10 minuta e më pas kullojini.

Në një tigan të madh kaurdisini në vaj ulliri një thelpi hudhër së bashku me specin djegës.

Shtoni lulelakrën e zier, kripë dhe piper sipas shijes dhe kuardiseni në zjarr të ulët për disa minuta.

Hidhni djathërtat dhe sapo të shkrihen hiqni hudhrën. Ndërkohë përgatisni beshamelin.

Tani vazhdoni me zierjen e makaronave në ujë të bollshëm me kripë.

Pasi të ziejnë kalojini në një në një tas të madh, shtoni aty lulelakrën e përzier me djathërat, beshamelin dhe përziejini butësisht derisa përbërësit të bashkohen.

Merrni një enë pjekjeje dhe lyeni pjesën e poshtme me pak vaj ulliri ose gjalpë dhe hidhni aty makaronat.

Piqeni në furrë të parangrohur për 15 minuta në 200 ° derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë kafe të artë.

Nxirrni makaronat nga furra dhe lërini të ftohen për disa minuta përpara se t’i shërbeni. /AgroWeb.org