Arrat për Mirëqenie dhe një Plakje të Shëndetshme

961 0

Cilësia e plakjes është një kombinim i geneve por edhe përkujdesit të treguar për trupin dhe lëkurën e fytyrës gjatë viteve.

Tek përkujdesi për trupin futet edhe cilësia e ushqyerjes dhe kur bëhet fjalë për të, duhet patjetër të përmendim arrat.

Studimet tregojnë se konsumi i rregullt i arrave mund të përmirësojë cilësinë e jetës gjatë plakjes.

Një studim i fundit ka zbuluar se gratë në fund të të pesëdhjetave dhe në fillim të gjashtëdhjetave, të cilat konsumonin 2 racione me arra në javë, ishin më të prirura të kishin një plakje më të ngadaltë dhe më të shëndetshme.

Studimi i publikuar në revistën Journal of Aging Research e përkufizon plakjen e shëndetshme si një jetë të gjatë me shëndet mendor të mirë dhe pa sëmundje pas moshës 65 vjecare.

Ekspertët konfirmojnë se konsumi i arrave ka një ndikim pozitiv në uljen e rrezikut të problemeve fizike tek të rriturit, si dhe në ruajtjen e aftësive të të nxënit.

Për më tepër, konsumi i arrave shoqërohet me një rrezik të ulur të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2.

Ushqimet e Duhura Për Një Plakje Të Shëndetshme

Ekspertët këshillojnë konsumin e një sërë ushqimesh të caktuara të cilat ndihmojnë njeriun të ketë një plakje sa më të shëndetshme.

Sipas tyre, njerëzit duhet të konsumojnë sa më pak ushqime të përpunuara, të skuqura, me kripë dhe yndyrë të lartë.

Ata duhet të hanë më shumë fruta pylli, banane por edhe perime si brokoli, lulelakra, sallata jeshile, kungulli i verdhë, misri dhe patatet.

Drithërat e plota, siç është orizi i zi, por edhe legumet janë ushqime prej të cilave nuk duhet hequr dorë.

Ndër legumet më të shëndetshme janë fasulet e zeza dhe qiqrrat.

Ekspertët këshillojnë konsum të moderuar të arrorëve, farave, miellit dhe produkteve të qumështit me bazë bimore.

Konsumi i kripës dhe sheqerit duhet kufizuar për të mbajtur nën kontroll tensionin e gjakut por edhe diabetin./AgroWeb.org