Thonë që të ftohtit dhe virozave nuk u shpëton dot. Ndoshta është e vërtetë, por të paktën tek AgroWeb.org do të mësoni se ka mënyra natyrale për të përshpejtuar shërimin.
Nga të gjitha ushqimet e dobishme që ofrojnë zgjidhje natyrale në momentet kur i ftohti të gjunjëzon, veçanërisht gjatë vjeshtës, AgroWeb.org ju rekomandon:
Hudhra. Ajo shërben si një antibiotik dhe zbut intensitetin e të ftohtit dhe infeksioneve të tjera.
Supa me mish pule. Funksionon me të vërtetë. Kjo supë lufton inflamacionin dhe zbut simptomat e të ftohtit. Megjithatë, duhet të konsumoni supë të mirëfilltë mundësisht të gatuar në shtëpi.
Çaj mali. Stimulon prodhimin e antitrupave dhe largon virozat.
Mjalti. Lufton mikrobet, bakteret dhe frenon kollën. Mjaftojnë disa lugë çaji me mjaltë në një filxhan me çaj mali. Nëse dëshironi shtojini pak lëng limoni.
Xhenxhefili. Çaji i xhenxhefilit është shumë i rekomanduar për gjendjet gripale. 2-3 cm xhenxhefil të prerë në feta ziejeni në 250 ml ujë.
Shtogu. Lufton virozat dhe përmban shumë fitoushqyes.
Ekstrakti i shtogut shkurton periudhën e të ftohtit dhe infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes.
Shtogu forcon sistemin imunitar në mënyrë natyrale.
Kokrrat e shtogut kanë vlera të pakundërshtueshme kundër infeksionet e sinusit.
Më poshtë do të lexoni edhe recetën e shurupit të shtogut.
I ftohti luftohet duke ngrënë
Oreksi është një tregues i asaj që na nevojitet dhe ushqimeve për të cilat nuk kemi nevojë kur jemi sëmurë.
Shumë njerëz humbasin dëshirën për të ngrënë kur preken nga virozat ose të ftohtit. Kjo ndodh sepse infeksionet bakteriale shkaktojnë inflamacion që frenon dëshirën për të ngrënë.
Ndaj nëse trupi ju thotë të qëndroni larg ushqimit, atëherë konsumoni së paku lëngje.
Rëndësia e ushqimeve
Nëse dëshironi të fuqizoni sistemin imunitar atëherë duhet të rishikoni mënyrën dhe sasinë e të ngrënit. Këto sjellje kanë mundësinë të kompromentojnë mënyrat se si sistemi imunitar i kundërpërgjigjet baktereve.
Tregoni kujdes për dozën e yndyrnave
Nëse tregoheni dorëlëshuar në yndyrnat e ngopura dhe acidet yndyrore omega-6, atëherë me siguri jeni duke dëmtuar stomakun dhe kompromentuar sistemin imunitar.
Nga ana tjetër një dozë e kujdesshme e yndyrnave të shëndetshme nga arrorët, vaji i ullirit dhe avokado do t’ju dhurojë një burim të mirë të vitaminës E duke minimizuar rrezikun e virozave dhe infeksioneve respiratore.
Kujdes me sheqerin
Sheqernat dhe ushqimet me një nivel të lartë glicemie dëmtojnë funksionet e qelizave të gjakut dhe inkurajojnë inflamacionin duke rrezikuar të gjithë sistemin imunitar.
Merrni proteina
Mungesat në proteina, hekur dhe zink mund të dëmtojnë imunitetin. Një racion me proteinë për femrat dhe dy racione për meshkujt duhen përfshirë në çdo vakt.
Frutat dhe perimet
Sistemi imunitar ka nevojë për shumë vitamina dhe minerale që mund t’i merrni nga frutat dhe perimet.
Ju keni nevojë për hekur, zink, magnez, mangan, bakër, acid folik dhe vitaminat A, C, D, E, B6 dhe B12.
Ndaj ndiqini këshillat e AgroWeb.org dhe hani shëndetshëm. Ushqimet e shëndetshme mbështesin sistemin imunitar dhe mbajnë sëmundjet larg.
AgroWeb.org ju sugjeron recetën e mëposhtme, një armë e fuqishme kundër virozave:
Shurup shtogu i bërë në shtëpi!
Përbërësit:
• 3 gota e gjysmë me ujë të ftohtë
• 2 gota me kokrra të thata shtogu
• 1 lugë gjelle me xhenxhefil organik të freskët ose të thatë
• 1 lugë çaji me kanellë pluhur ose 1 shkop kanelle
• 1 filxhan me mjaltë cilësor
Udhëzimet:
1. Hidhni ujin në një tenxhere. Shtoni kanellën, kokrrat e shtogut dhe xhenxhefilin.
2. Lëreni lëngun të ziejë.
3. Ulni zjarrin dhe mbajeni tenxheren të mbuluar ndërsa lëngu zien për 40-45 minuta deri sa sasia e lëngut të përgjysmohet.
4. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtypini kokrrat.
5. Përdorni një napë të pastër ose kullesë dhe lëngun hidheni në një enë qelqi. Nëse përdorni napën, mos hezitoni ta shtrydhni atë që të përftoni lëngun e mbetur.
6. Shtoni mjaltë dhe përziejeni deri sa të jetë tretur.
7. Shurupin hidheni në një shishe ose enë qelqi të sterilizuar.
Çaji i shtogut është një tjetër alternativë e sugjeruar për përdorim. Ju mund të blini çaj me bustinë ose të blini kokrrat dhe lulet e thata duke e përgatitur çajin vetë.
Mjafton një lugë me kokrra ose lule të thata dhe një filxhan me ujë. Nëse nuk ju pëlqejnë çajrat e ngrohtë, atëherë përdorni lëngun e shtogut, që është i ëmbël dhe freskues./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje