Kur futesh në shtëpi pas një dite shumë të nxehtë, një gotë me ujë të ftohtë të duket mrekullia vetë.
Uji i ftohtë tingëllon si ideja më e mirë për tu freskuar gjatë temperaturave të nxehta, por sipas ekspertëve i nxehti luftohet me të nxehtin.
Arsyen e kësaj ideje të mbështetur nga ekspertët do t’i gjeni më poshtë duke lexuar në këtë artikull të AgroWeb.org
Arsyeja Përse Një Pije e Nxehtë Të Ndihmon Kundër Vapës
Ekspertët thonë se gjithçka ka të bëjë me djersën.
Një pije e nxehtë rrit temperaturën në trup dhe ky i fundit reagon duke djersitur.
Sasia e djersës është më e madhe se volumi i nxehtësisë së brendshme gjë që nënkupton se trupi arrin të freskohet më shpejtë.
Trupi i njeriut djersin më shumë kur pi diçka të nxehtë për shkak të receptorëve nervorë në gjuhë.
Kur gjuha merr informacionin se në trup po futet një pije e nxehtë, ajo i dërgon këto të dhëna në tru i cili nga ana tjetër nis të freskojë trupin duke aktivizuar djersitjen.
Speca Djegës Kundër Vapës
Një mënyrë tjetër për tu freskuar shpejt gjatë ditëve të nxehta është të hani speca djegës.
Specat bëhen djegës falë një substance të njohur si kapsaicina e cila nxit një reagim nervor të trupit.
Kur ha një spec djegës, do të ndjesh nxehtësinë të përhapet në të gjithë trupin dhe më pas do të djersish.
Avullimi i djersës do të largojë të gjithë nxehtësinë e tepërt të trupit.
Specat djegës do të stimulojnë receptorët termalë të trupit dhe do të djersini më shumë.
Megjithatë edhe djersitja e ka një kleçkë.
Nëse dëshironi që trupi të jetë në gjendje të djersijë duhet të jeni të hidratuar.
Këtë mund ta bëni duke konsumuar sa më shumë lëngje dhe ujë, sidomos pasi keni ngrënë specat pikantë.
Në këtë mënyrë, trupi do të ftohet në mënyrë shumë efikase./AgroWeb.org