Shtrydhja e perimeve është një proces që shoqërohet me shumë vlera për shëndetin, për faktin e vetëm se perimet janë të pasura me ushqyes.
Disa perime janë shumë më të mira dhe më të pasura me ushqyes, fakt ky që i bën ato kandidatët e duhur për t’u servirur si lëng në krahasim me të tjerët.
Kombinimi i perimeve dhe barishteve të duhura është një mënyrë e mirë për të marrë një dozë të fuqishme vitaminash dhe mineralesh që fuqizojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë.
Lëngu 100% i pastër i perimeve i përmbahet të gjitha rekomandimeve për ushqime të shëndetshme, e megjithatë ju nuk duhet të mjaftoheni vetëm me lëngjet, por edhe të konsumoni perime të plota për një dietë të ekuilibruar.
Barishtet e Gjelbra
Barishtet e gjelbra përmbajnë shumë ushqyes, përfshirë kalciumin, acidin folik, kaliumin, vitaminat A dhe C.
Alternativa të mira janë spinaqi, pazia, lëpjeta, lakër e egër, lulerradhiqe, gjethet e panxharit.
Shumica e recetave të lëngjeve të zarzavateve përbëhet nga kombinime të këtyre barishteve, për faktin se larmishmëria mes tyre është e vakët.
Pjesa më e madhe e zarzavateve kanë një shije të athët, ndaj rekomandohet kombinimi me fruta të ëmbla siç janë molla, kivi apo edhe avokado, të cilat i japin lëngut ëmbëlsinë e munguar.
Domatet
Domatet janë një burim i pasur i likopenit, një antioksidant që mbron kundër disa tumoreve, veçanërisht ato të prostatës.
Domatet janë të pasura me Vitaminë C dhe kalium. Ato janë për t’u pirë në kupë dhe shkojnë shumë mirë me karrotat, panxharin, trangujt dhe specat.
Karrotat
Karrotat janë një nga perimet më të përdorshme në lëngje të tilla. Shumë njerëz preferojnë ta pijnë lëngun e karrotës të pashoqëruar me perime të tjera.
Megjjithatë shija e karrotës e bën atë të përshtatshme me domatet, panxharin, zarzavatet dhe trangujt.
Karrotat janë një burim i mirë vitamine A, kaliumi, hekuri dhe disa vitamina të kompleksit B.
Selinoja
Selinoja ka një përmbajtje të lartë ujore dhe është zgjedhja ideale për të bërë lëng perimesh. Ajo përmban magnez dhe hekur.
Zakonisht, lëngu i selinosë nuk pihet i pashoqëruar me një perime ose zarzavate tjetër. Megjithatë selinoja është gjithnjë një element që nuk mungon në lëngjet që përfshijnë karrotën, domaten ose trangullin.
Selinonë mund ta përdorni të plotë duke rritur vlerat që përfitoni prej saj. Mos hiqni asgjë nga kjo perime, futeni të plotë në mikser dhe do të përfitoni të gjithë ushqyesit që ajo ofron.
Panxhari
Lëngu i panxharit ka një ngjyrë të ndezur dhe joshëse. Kjo nuk është vlera e vetme që ka panxhari, përkundrazi, ai është i pasur me ushqyes, kalcium, hekur, kalium, vitaminë C dhe beta karoten.
Si panxhari ashtu edhe gjethet e tij janë të shëndetshme dhe të mira për t’u shtuar në çdo lëng. Nëse e pini të vetëm, lëngu i panxharit është i përqendruar ndërsa kombinimi me perime të tjera do ta hollojë atë. Mund ta shoqëroni me karrota, domate, tranguj dhe zarzavate të gjelbra./AgroWeb.org