Rrathë Qepe – Receta Unike që Ndez Shijen

1.3k 0

Përdorimet e qepës në kuzhinë dhe shija e tyre e jashtëzakonshme nuk ka kufij.

Qepët janë fantastike në çdo gatim. Ato u shtojnë shije gjellëve të ndryshme, supave e sallatave, aq sa shumë e shumë e receta nuk do kishin kuptim pa qepën si përbërësin e tyre.

Megjithëse mbeten përherë lezeti i shumë recetave të gatimit, ka disa mënyra të tjera fantastike gatimi ku qepët janë protagonistet kryesore.

Receta që sjell më poshtë Agroweb.org është ndër mënyrat më të mira për të kuptuar se përdorimet e qepës në kuzhinë dhe shija e tyre e jashtëzakonshme nuk ka kufij.

Bëhet fjalë për rrathët e qepës, të kombinuara me vezë, miell e thërrime buke, të gatuara me vaj ulliri e të shoqëruara me salcë pikante.

Rrathët e skuqura të qepës janë me të vërtetë shumë të shijshme, pikërisht falë kontrastit mes sipërfaqes krokante dhe brendësisë së butë e të lëngshme.

Sekretet e recetës 

Sekreti në gatimin e rrathëve të mirë të qepës qëndron tek thërrimet e bukës, të cilat ndërveprojnë dhe plotësojnë me shije kryeneçësinë e qepës në skuqje.

Thërrimet e bukës janë një element i duhur dhe i pandashëm i treshes tradicionale që përdorim në kuzhinë e që përbëhet edhe nga mielli dhe veza.

Por rrathët e qepës kanë nevojë edhe për një element tjetër që të skuqen mirë.

Ato kanë nevojë për një temperaturë ideale, jo shumë të nxehtë sepse skuqja nuk do të jetë e njëtrajtshme por as pakët sepse në të kundërt rrathët do të qullen dhe zbuten.

Përgatitja e Rrathëve të Qepës

Ju nevojiten

  • 3 Qepë të mëdha
  • Thikë e mprehtë
  • 3 enë të thella
  • Miell
  • 2 Vezë
  • Ujë
  • Një filxhan i madh çaji me thërrime buke
  • Tenxhere dhe kullesë ose fritezë
  • Vaj ulliri
  • Enë për hedhjen e qepëve
  • Letra kuzhine

Hapi 1

Qëroni qepët dhe prijini në rrathë të një madhësie prej 6 milimetra deri në 2 centimetra sipas dëshirës.

Hapi 2

Vendosini tre tasat, pjatat apo enët e përzgjedhura në rradhë duke vendosur edhe mënyrën e ngjyrjes së qepëve në produktet e lartpërmendura.

Hapi 3

Në enën e parë hidhni miell të përzier me erëza, kripë dhe piper. Mielli ndihmon që veza të ngjitet më mirë në rrathët e qepës. Në enën e dytë hidhni vezët dhe rrihini me pak ujë. Në enën e tretë hidhni thërrimet e bukës.

Hapi 4

Zhytini rrathët në miell, vezë dhe më pas në enën e thërrimeve deri sa të jenë të veshur plotësisht. Ndiqini këto hapa një e nga një për secilin nga rrathët e qepëve të cilat duhet t’i vendosni në një pjatë.

Hapi 5

Nxeheni vajin në mbi 170 gradë. Temperaturën mund t’a masni me një termometër gatimi ose duke hedhur një nga shtresat krokante e qepës. Nëse nis e skuqet menjëherë dhe merr ngjyrë të artë brenda minutit atëherë temperatura është e duhura.

Hapi 6

Rrathët hidhini në fritezë ose në tenxhere me rradhë. Idealja është të përdorni kullesat që përdoren për skuqje sepse ju ndihmojnë në menaxhimin më të shpejtë të procesit. Mos e tejmbushni tenxheren sepse temperatura e vajit do të ulet dhe qepët do të përthithin më shumë yndyrë.

Hapi  7

Rrathët e skuqur vendosini në pjatat e mbuluara me letër kuzhine që thithin yndyrën dhe servirini menjëherë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.