Si të Zgjidhni Verën më të Mirë

1.8k 0

Vera është për shpirtin, ajo që uji është për trupin. E kush nuk e shijon një gotë verë të mirë, qoftë kjo një e kuqe Kabërnet, një Tokai apo një e bardhë Riesling.

Por, që ta shijosh verën deri në gllënjkën e fundit duhet ta njohësh mirë atë, që nga ngjyra, shija, intensiteti. Por sigurisht, kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë.

Shpesh e gjejmë veten të endemi kuturu në sektorin e verërave në market duke zgjedhur verën me shishe të bukur por që na zhgënjen me një shije të keqe apo atë që është në ofertë dhe duket si uthull më shumë sesa verë.

Dhe dilema mbetet gjithnjë të zgjedhësh një Kabërnet apo një Chandonnay. Shqipëria me meritë është një nga prodhuesit më të vjetër të verës në Evropë.

Nga Merloti tek Kabërneja, Tokai dhe Riesling, vera jonë e ka një përgjigje lokale autoktone për secilën nga këto emra të njohur ndërkombëtar.

Për të zgjedhur verëm më të mirë ju ofrojmë disa truke të vogla që do t’ju ndihmojnë të zgjidhni verën e duhur pa zbrazur krejt portofolin.

Rregulli numër një: vera dhe ushqimi shkojnë bashkë

Harrojeni rregullin që e bardha shkon me peshkun dhe e kuqja me mishin. Kombinimi perfekt është që pas çdo gllënjke vere, goja duhet të qëndrojë e pastër në mënyrë që të vazhdosh të shijosh ushqimin me të cilin po e shoqëron.

Vera dhe ushqimi duhet gjithnjë të plotësojnë njëra tjetrën. Elementi kryesor që duhet vlerësuar tek vera dhe ushqimi janë struktura dhe intensiteti i tyre. E thënë më thjeshtë është sa zgjat shija e tyre në gojë, që duhet të jenë pothuajse të njëjta.

Kështu nëse do të duhet të shijojmë një pjatë me shije të forta duhet të zgjedhim një verë, që ka po të njëjtat karakteristika. Për shembull nëse konsumojmë një fileto pule duhet ta shoqërojmë me një verë delikate dhe jo shumë të fortë, përndryshe pula na humbet në shije.

Ndërsa përsa i përket ëmbëlsirave rregulli është që e “ëmbla duhet të shkojë me të ëmblën” duke ndjekur të njëjtën shije dhe intensitet mes verës dhe ushqimit.

Ndiq shijen dhe instiktin

Të gjithë shijet janë të mira dhe e drejta për të zgjedhur një verë të re që nuk e njihni është totalisht e përligjur.

Çfarëdo që të zgjidhni do të jetë një eksperiencë e mirë që do t’ju shërbejë për kombinime të tjera në të ardhmen.

Në rast se nuk e dini se me çfarë ushqimi do ta shoqëroni verën, spumantja është zgjedhja e duhur. E freskët dhe e gazuar, spumantja i shton shije e gëzim çdo vakti.

Ngjyra më kafe nga ç’duhet

Kur vera ekspozohet ndaj ajrit, merr një ngjyrë më kafe. Kur vera e kuqe oksidohet, humbet pak nga ngjyra e saj e kuqe e ndezur dhe fillon të anojë pak nga ngjyra kafe.

Ndërkohë që tek verërat e vjetra, si tek e bardha dhe e kuqja, ky është një fenomen natyral dhe i pritshëm. Por nëse vera juaj është e re -vetëm 1 ose 2 vjeçare, mund të jetë shenjë se vera është ekspozuar shumë ndaj ajrit.

Kjo do të thotë se ose shishja ka qëndruar e hapur për disa ditë ose problemi mund të ketë ndodhur në kantinë gjatë procesit të mbushjes.

Për të bërë krahasimin merrni një shishe të freskët të së njëtës verë dhe krahasoni ngjyrën. Eshtë e garantuar se shishja që ka qëndruar hapur për një kohë të gjatë do të ketë një ngjyrë më kafe.

Vera ka flluska, kur nuk duhet të ketë

Kur vera pritet të jetë e qetë dhe ka flluska, kjo është një shenjë se një lloj fermentimi po ndodh në shishe. Çka është një gjë aspak e mirë.

Kërkoni një shishe tjetër, por nëse dhe shishja e dytë ka të njëjtin problem, atëherë është koha të provoni një verë të një marke tjetër.

Nëse jeni në shtëpi dhe kjo është e vetmja shishe vere që keni, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të shijoni një verë me gaz.

Mban erë të ndenjur

Këto aroma janë të lidhur me tapën. Kjo është një shenjë që tapa ka pasur myk, i cili është rritur akoma më shumë deri në atë pikë saqë ka lëshuar një kimikat të njjohur si TCA në tapë.

Myku mund të ikur, por sërish sasi të vogla të TCA mund të lëshjojnë shije të këqija në verë. Kjo mund të ndryshojë nga shishja në shishe, kështu që pyesni për një shishe të re nëse mundeni.

Nëse shishja e fundit vinte era tapë, shishja e re do të shijojë krejtësisht ndryshe. Nuk është fundi i botës nëse vera ka shije tape, por në varësi të shijes së fortë ose jo, kjo mund të jetë një eksperiencë jo dhe aq e mirë e shijimit të verës.

Vjen si erë farmaceutike

Nëse vera mban era ilaçe atëherë ka një problem me verën. Zakonisht ky është rezultat i një majaje që quhet brettanomyces ose ‘brett’ dhe është tregues i higjenës së dobët në kantinë, por mund të vijë dhe nga vetë rrushi.

Përveç shijes nuk është se shkakton probleme tek njerëzit. Lajmi i keq këtu është që e gjithë vera është e kontaminuar dhe marrja e një shishe tjetër nuk e zgjidh problemin.

Vjen si era uthull

Ky është tregues që bakteret e acidit acetik kanë qenë në punë në verën tuaj duke shkaktuar një defekt të njohur si aciditeti i paqëndrueshëm. Ky aciditet mund t’i shtojë kompleksitetin verës dhe mund të jetë një gjë e mirë, por nëse ajo dominon, atëherë ndikon për keq.

Megjithatë nuk shkakton problem konsumi i saj, gjithsesi tek njerëzit e ndjeshëm mund të shkaktojë një ndjesi djegëse.

Vera nuk ka aromë

Kjo mund të jetë për shkak se vera është shumë e ftohtë ose ka nevojë për pak ajër. Ngroheni gotën me dorë ose tundeni pak që të marrë më shumë ajër.

Nëse edhe pas disa minutash sërish nuk ka asnjë aromë, atëherë vetë vera nuk ka shumë aromë. Shpjegimi tjetër mund të jetë dhe tapa, e cila nuk është në gjendje të marrë mjaftueshëm aromë nga vera, por jo aq sa të mbajë era tapë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.