Teksa fermerët shqiptarë ankohen se, prodhimet e tyre po shiten nën kosto, tezgat me ushqime në pikat e pakicës janë “pushtuar” nga produktet e importit.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë 8-mujorit 2022 u vu re një rritje e pazakonte e importit të zarzavateve në sasi me 45.6% në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Gjatë janar-gusht u importuan 30 mijë tonë zarzavate në vend, nga 20 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nga ana tjetër eksportet e zarzavateve në sasi u rriten vetëm 1% në 8-mujor. Sipas INSTAT eksportet e zarzavateve arritën në 105 mijë tonë në janar-gusht 2021, nga 98,5 mijë tonë që ishin në këtë periudhë kohore të vitit 2021.

Eksportet në sasi të zarzavateve ishin në vendnumëro, teksa rritja galoponte e importeve tregon për një hendek në prodhim.

Tezgat e shitjes me pakicë janë të mbushura plot me prodhime importi, sidomos prodhimet e sezonit të tilla si sallata jeshile, karota, lakra, kungujt, patate, brokoli etj.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit Lushnjë dhe Berat bëjnë me dije se importet e prodhimeve bujqësore do të rriten me shpejtësi në të ardhmen pasi sipërfaqet e mbjella në vend kanë rënë këtë vit dhe prodhimet që realizohen kanë kontrata me eksportin. Hendeku që mbetet në tregun vendas po mbulohet me import.

Dy vitet e fundit ankesat e fermerëve janë rritur në lidhje me kostot e larta dhe mungesën e fuqisë punëtore. Bujqësia shqiptare ka mbështetjen më të ulët buxhetore në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, ndaj prodhimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkuruese.

Ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me rimet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë me vetëm 0.28%. E njëjta situatë vijoi edhe në tremujorin e parë 2022 me vetëm 0.1%.

Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para la pa mbjellë qindra hektarë tokë. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar./B.Hoxha

Burimi: Revista Monitor