Një Udhëtim Drejt Suksesit: Rëndësia e Këshillimit të Karrierës në Shqipëri dhe Marrëdhënia Prindër-Fëmijë

711 0

Ana ishte në vitin e fundit të gjimnazit dhe ndiente një peshë të madhe mbi supe. Prindërit e saj, si shumë të tjerë, e këshillonin të zgjidhte një degë “të sigurt”, ndërsa ajo ëndërronte të bëhej dizenjuese (graphic designer) . Në çdo bisedë me familjen rreth zgjedhjeve të saj, dëgjonte fraza si: “Zgjidh diçka që të të sigurojë një punë të mirë” apo “Mos rreziko me profesione që s’kanë treg në Shqipëri”. Ana ishte e pasigurt dhe e paqartë për vendimmarrjen e saj. Dhe ajo nuk ishte e vetmja. 

Sot, të rinjtë ndodhen përballë dilemës së madhe të zgjedhjes së karrierës. Tregu i punës ndryshon me shpejtësi, profesionet e reja lindin, ndërsa disa të tjera zhduken. Pa një udhëzim të duhur, vendimi për të ardhmen mund të jetë i pasigurt dhe stresues. 

Një Rrugëtim me Udhërrëfyes të Duhur 

Një ditë, Ana dëgjoi rreth shërbimit të këshillimit të karrierës që ofrohej në shkollën e saj. Ajo vendosi të merrte pjesë, ne një seancë ndonëse me skepticizëm. Por, sapo filloi të bisedonte me këshilluesen e karrierës, kuptoi rëndësinë e këtij procesi. Me anë të testeve të aftësive, eksplorimit të pasioneve dhe informacionit mbi tregun e punës, ajo nisi të shihte një panoramë më të qartë. 

Çfarë mësoi Ana nga këshillimi i karrierës? 

Zbuloi aftësitë dhe pasionin e saj – Përmes analizave dhe bisedave, kuptoi se dizenjimi nuk ishte thjesht një ëndërr, por një aftësi që mund ta kthente në profesion. 

Mësoi për mundësitë në tregun e punës – Këshilluesja e karrierës e ndihmoi të kuptonte se dizenjimi grafik ishte një fushë në rritje, me mundësi të shumta punësimi në sektorë të ndryshëm, si marketingu, mediat dhe teknologjia. 

Reduktoi pasigurinë– Përmes mbështetjes dhe informacionit të saktë, ajo filloi të ndihej më e sigurt për zgjedhjet e saj. 

Prindërit: Partnerë në Zgjedhjen e Karrierës 

Kur Ana ndau këtë eksperiencë me prindërit e saj, fillimisht edhe ata ishin skeptikë. Ata vinin nga një brez ku profesione si mjekësia, inxhinieria dhe juridiku shiheshin si të vetmet zgjedhje të sigurta. Megjithatë, këshilluesja i ftoi të merrnin pjesë në një sesion informues për prindërit. Aty ata mësuan që të dëgjojnë dhe vlerësojnë aspiratat e fëmijëve të tyre dhe  të mbështesin eksplorimin e pasioneve të tyre. Gjithashtu ata duhet të informohen mbi zhvillimet e reja – Teknologjia dhe globalizimi kanë krijuar mundësi të reja për karrierat e të rinjve që dikur nuk ekzistonin. 

Një Fund i Ri për Anën dhe Shumë të Rinj të Tjerë 

Sot, Ana është një studente e lumtur në një program dizenjimi grafik dhe ndërsa studion ka filluar të punojë edhe me projekte. Falë këshillimit të karrierës dhe mbështetjes së prindërve, ajo po ndërton rrugën e saj drejt suksesit. Historia e saj është një shembull që tregon se me informacionin e duhur dhe një mbështetje të mirë, të rinjtë mund të marrin vendime të sigurta për të ardhmen e tyre. 

Në Shqipëri, këshillimi i karrierës është domosdoshmëri. Të rinjtë kanë nevojë për udhëzime profesionale, dhe prindërit duhet të jenë aleatë në këtë rrugëtim. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një brez profesionistësh të suksesshëm, të motivuar dhe të përmbushur. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.