Tashmë Zyrat e Këshillimit të Karrierës do Ndihmojnë edhe të Rinjtë në Lushnje, Berat dhe Elbasan

61 0

Pas modelit të suksesshëm të Tiranës, tashmë në qytetet e Lushnjes, Beratit dhe Elbasanit, janë hapur zyra të reja të këshillimit të karrierës, që ofrojnë shërbime profesionale pa pagesë për të gjthë qytetarët si:  këshillim individual dhe në grup për karrierën, teste karriere të standardizuara, trajnime, mundësi praktike punë dhe punësim.  

Një Rrugëtim Drejt Mundësive të Reja 

Zyrat e këshillimit të karrierës ofrojnë shërbime të specializuara për të ndihmuar individët në ndërtimin e rrugëtimit të tyre profesional. Ato shërbejnë si një urë lidhëse mes aspiratave të të rinjve dhe kërkesave të tregut të punës, duke i pajisur ata me njohuritë dhe aftësitë e duhura për të gjetur punësim ose për të avancuar në karrierë. 

Nëpërmjet këtyre zyrave, qytetarët mund të marrin informacion, orientim dhe këshillim të personalizuar për të identifikuar profesionet që përputhen me aftësitë dhe interesat e tyre. Këshilluesitt e karrierës pranë këtyre zyrave gjithashtu ndihmojnë në përgatitjen e dokumenteve profesionale si CV dhe letra motivimi, zhvillimin e aftësive për intervista pune dhe krijimin e kontakteve me punëdhënës të mundshëm. 

Një Platformë për Rritje dhe Zhvillim 

Shërbimet e ofruara në këto zyra janë të strukturuara për të përmbushur nevoja të ndryshme profesionale: 

  • Informacione rreth karrierës dhe tregut të punës 
  • Seanca këshillimi karrieres individuale dhe në grup 
  • Teste vlerësuese: instrumentat bashkëkohorë për të hulumtuar fushat e interesit të individëve dhe për të analizuar nevojat për këshillim e orientim, sikurse dhe vështirësitë në vendimmarrjet në karrierë që të rinj e të rritur hasin në rrugëtimin e tyre profesional. Këto teste të standardizuara plotësohen me rekomandimin e këshilluesit të karrierës, i cili gjithashtu ndihmon ne interpretimin e rezultateve. 
  • Workshop-e, trajnime që fokusohen në zhvillimin e aftësive teknike dhe të buta të nevojshme në tregun e sotëm të punës. 
  • Informacion për mundësi praktike internship dhe punësimi, duke krijuar lidhje mes të rinjve dhe bizneseve që ofrojnë përvoja profesionale 

Një Investim për të Ardhmen 

Hapja e këtyre zyrave shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e burimeve njerëzore në këto tre qytete, duke i dhënë qytetarëve një mundësi të re për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme. Me mbështetjen e këshilluesëve të karrierës dhe instrumentëve të duhur, këto zyra synojnë të orientojnë më mirë këta qytetarë në zgjedhjet e tyre për tregun e punës. 

Në një kohë kur tregu i punës është gjithnjë e më konkurrues, ekzistenca e zyrave të tilla është një domosdoshmëri për informimin dhe orientimin e individëve që kërkojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme dhe të qëndrueshme. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.