Formula Natyrale e Çokokremit të Shtëpisë

375 0

Më ishte kthyer gati në makth dalja me tim bir në supermarket dhe koshi që mbushej kryesisht me çokokrem, qumësht me kakao, çokollata, akullore po me kakao. I donte e më vinte keq të mos ia merrja, plus që pediatri më tha se deri sa i ha ushqimet e tjera, s’kisha pse e pengoja të merrte dhe këto. Teksa kërkoja në internet për çokokremin, u terrorizova. Përbërësit më të shumtë të saj, ishin vaji i palmës dhe sheqeri i bardhë, ndërkohë që kakao dhe lajthitë zinin një vend minimal. Pra im bir ishte dendur në sheqer e vaj palme. Kështu vendosa ta bëj vetë në shtëpi, duke qenë se përbërësit janë tepër të thjeshtë e gjenden gjithkund.

Pas shumë tentative që më çalonin kryesisht te copëtimi i bajameve arrita të bëj çokokremin perfekt. E nëse juve keni të njëjtin problem, po ju tregoj mënyrën si bëhet një çokokrem i shëndetshëm. Kryesisht masën e përbërësve e përzgjedh me sy, por si për fillim duhet kjo recetë.

80 gram lajthi
100 ml qumesht
60 gram sheqer ngjyrë e kaftë
100 gram çokollatë e zezë
2 lugë gjalpë

Në fillim pjek lajthitë për 10 minuta në furrë të paranxehur, ndërsa në një tenxhere shkrij çokollatën me qumështin. Më pas lajthitë e pjekura i fus në mikser. Duan pak punë për t’u copëtuar se shpesh ngelin thërrime-thërrime dhe fëmijët nuk e pëlqejnë. Për t’i dhënë pak ndihmë në mikser shtoj edhe sheqerin e kuq (apo ndryshe sheqerin kaf) e më pas 2 lugë gjalp. Vazhdoj t’i përzjej për disa minuta e më pas i shtoj çokollatën e shkrirë në qumësht duke mos ndalur së përzjeri. Pasi të gjithë përbërësit shkrihen me njëri tjetrin, i fus në enën e çokokremit të supermarketit, të cilën e ruaj sepse maskoj çokokremin e bërë në shtëpi. Im bir është ende i vogël dhe duhet të vazhdojë të besojë se të gjitha ushqimet që sheh në market apo TV janë të mira.

Pasi ftohet për dy-tri orë, e le po kaq kohë edhe në frigorifer dhe është gati për përdorim. Ndërkaq edhe për akulloret përdor sërish çokokremin tim dhe është mjaft e lehtë. Në mikser fus gjysëm kavanozi çokokrem, i shtoj qumësht dhe një paketë vanilje. Pasi i miksoj, mbush format e gatshme dhe i vendos në akull.

Kështu të paktën dy kërkesat më të zakonshme të fëmijës tim i zgjidh në mënyrën më të shëndetshme për të. Të njëjtën gjë kam nisur të bëj edhe me patatinat e në këtë rast përdor patate të freskët të prerë hollë me renden thikë, të cilat i kripos, i hedh një pikë vaj dhe i pjek në furrë me 200 gradë deri sa të zverdhen e të bëhen krokante. Mos harroni që maskimi i paketimit është i nevojshëm edhe në këtë rast, sepse fëmija është më inteligjent sa ne e mendojmë./AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.