Si të Përgatisni Kotoleta Pule me Kos – Shija e Mrekullueshme e Shtëpisë

2.9k 0

Recetat e gatimit nuk kanë të mbaruar, e sigurisht më të preferuarat janë ato që dhurojnë më shumë shije.

Ndonëse jo të gjitha të shëndetshme ,shumë receta preferohen dhe konsumohen çdo ditë nga të mëdhenj e të vegjël.

Alternativa më e mirë për të kënaqur të gjithë familjen do të ishte një recetë e shijshme dhe e shëndetëshme.

Jo me çdo gatim mund të arrihet, por në shkrimin e sotëm nga AgroWeb.org do të gjeni një mënyrë të veçantë dhe të shëndetshme të gatimit të pulës.

Nëse ju pëlqejnë kotoletat e gatshme të pulës edhe këtë recetë do ta adhuroni, pasi është plot shije dhe shëndet.

Filetot e pulës të pjekura me kos, erëza dhe thërrime buke janë mënyra më e shëndetshme e përgatitjes së kësaj recete.

Ndiqni më poshtë mënyrën e thjeshtë dhe plot shije të përgatitjes së tyre.

Përbërësit

  • 500 gr fileto pule
  • 125 gr kos
  • 1 lugë çaji spec djegës pluhur
  • 1 lugë çaji turmerik
  • 100 gr thërrime buke të thekur
  • vaj ulliri
  • kripë
  • piper

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon që të prisni fillimisht filetot tuaja të pulës në copa të vogla.

Bëjini ato jo më të mëdha se 6-7 cm ose sa një kafshatë dhe vendosini të gjitha në një enë të thellë.

Më pas shtoni kosin, specin djegës, tumerikun, pak vaj ulliri dhe kripë e piper sipas dëshirës tuaj.

Përzieni mirë të gjithë përbërësit që ndodhen në enë, derisa kosi me erëzat të kenë mbuluar të gjithë copat e filetos.

Më pas mbulojeni enën me një qese transparente kuzhine dhe futeni në frigorifer për 30 minuta.

Pasi të kenë kaluar minutat, nxirreni enën nga frigoriferi dhe filloni të lyeni secilën nga filetot me thërrimet e bukës së thekur.

Lyejini ato mirë nga të dyja anët, duke i zhytur tek thërrimet e bukës disa herë derisa të përfitoni kotoletat.

Më pas përgatisni një tavë mesatare ose të madhe, të shtruar me letër pjekje dhe vendosni aty një nga një kotoletat tuaja.

Futeni tavën të piqet në furrën e parangrohur në temperaturë 180 gradë për 20 minuta.

Në 5 minutat e fundit mund të ngrini pak temperaturën,deri ne 200-220 gradë në mënyrë që filetot të piqen dhe të marrin pamje të artë.

Shërbejini kotoletat tuaja sipas dëshirës me pjata orizi ose me sallata shumëngjyrëshe në krah./AgroWeb.org