Vlerat shëndetësore të pazisë janë me të vërtetë të shkëlqyera. Në to përfshihet aftësia për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak, parandaluar radikalet e lira, përmirësuar tretjen, forcuar sistemin imunitar, për të ulur temperaturën, luftuar inflamacionin, ulur tensionin e gjakut, parandaluar sëmundjet e zemrës, rritur forcën e kockave, detoksifikuar organizmin dhe forcuar shëndetin e trurit.
Pazia është një barishte që ka ngjashmëri në pamje me spinaqin, por në vlera me panxharin. Ky i fundit rritet dhe shfrytëzohet për rrënjët, ndërsa pazia për gjethet.
Pazia ka qenë pjesë e gatimeve të ndryshme në shumë qytetërime për shekuj me rradhë. Kryesisht ajo rritet në Hemisferën e Veriut dhe është një përbërës tradicional i gatimeve të Mesdheut dhe mban emrin botanik Beta vulgaris subsp. cicla.
Shqipëria ka një traditë të gjatë të përdorimit të pazisë sidomos në gatimet e byrekut. Fermerët e vegjël e rrisin pazinë në parcela të vogla dhe e shesin atë të freskët tek konsumatorët që ia dinë vlerën barishteve.
Këtë barishte mund ta konsumojmë në sallatë ose ta gatuajmë. Gjethet e freskëta janë të hidhura, por kur gatuhen, shija e tyre ëmbëlsohet. Kjo shije është pak më e fortë se ajo e spinaqit. Ndonëse shpesh, njerëzit e ngatërrojnë pazinë me spinaqin duhet të lexoni më shumë për vlerat e kësaj barishteje, që të bëni dallimin dhe t’i gjeni një vend në ushqimin tuaj.
Pazia është një burim fantastik vitaminash, ushqyesish dhe përbërësish organikë që përfshijnë vitaminën K, C, A, E, riboflavinën dhe vitaminën B6. Sa i përket mineraleve, ajo përmban magnez, mangan, kalium, hekur, natrium dhe bakër. Përveç fibrës dietike, pazia përmban edhe antioksidantë, fitonutrientë dhe enzima të cilat janë unike dhe shumë të mira për shëndetin.
Pazia përmirëson qarkullimin e gjakut
Pazia ka aftësinë të përmirësojë formimin e qelizave të kuqe të gjakut, sepse përmban hekur dhe bakër. Njerëzit që vuajnë nga mungesa e këtyre dy mineraleve përballen me sëmundjen e anemisë që shkakton lodhje, dobësi, çrregullime në stomak dhe mungesë përqendrimi.
Pazia përmirëson shëndetin e kockave
Pazia është një burim i mirë i kalciumit, magnezit dhe vitaminës K. Konsumimi i mjaftueshëm i vitaminës K çon në modifikimin e proteinave të kockave, përmirëson përthithjen e kalciumit dhe parandalon formimin e osteoporozës.
Pazia ul tensionin e gjakut dhe përmirëson shëndetin e zemrës
Pazia përmban sasi të larta të kaliumit dhe të ulëta të natriumit. Ajo përmban antioksidantë që ulin tensionin e gjakut dhe stresin e zemrës.
Pazia përmirëson shëndetin e syve
Pazia është e mbushur me beta karoten, konsumimi i të cilit ka lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin e syve dhe ul rrezikun e sëmundjeve të shikimit dhe simptomave të rrezikshme.
Pazia ndihmon me mbajtjen nën kontroll të diabetit
Pazia përmban acid siringjik që ndihmon me mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqernave në gjak duke çaktivizuar një sërë enzimash problematike të cilat kthejnë karbohidratet komplekse në sheqerna të thjeshtë. Kur ky proçes pezullohet, niveli i sheqernave në gjak është i qëndrueshëm.
Pazia ndihmon me shëndetin e flokëve
Pazia përmban një element organik të quajtur biotinë e cila stimulon shëndetin e flokëve dhe u jep atyre forcë.
Pazia parandalon plakjen
Gjethet e pazisë dhe barishteve të tjera përmbajnë antioksidantë siç janë beta karoteni, luteina, zeksanthina, kuercetina dhe kaemferoli. Antioksidantët gjejnë dhe neutralizojnë radikalet e lira të cilat dëmtojnë qelizat dhe metabolizmin./AgroWeb.org