Zbuloni Perimet që Mund të Rrisni në Shtëpi

2k 0

Dëshironi të rrisni vetë perimet por nuk keni tokë mjaftueshëm? Mos u mërzisni, ka një zgjidhje edhe për këtë.

AgroWeb.org do t’ju tregojë mënyrat më interesante për mbjelljen e perimeve në shtëpi. Ballkonet, papafingot dhe parmaku i dritareve janë vendndodhje ideale për rritjen e perimeve.

Mjafton të siguroni një sistem mbështetës të mirë e të fortë në dysheme.

Disa perime ose bimë zvarritëse janë të përshtatshme për t’u rritur në vazo që varen.

Kërpudhat rriten lehtë në një vend të errët në raft ose në bufe.

Barishte të tjera si çikorja ndikohen nga metoda e rritjes në hapësira të brendshme duke u detyruar të lulëzojnë me herët se zakonisht.

Domatet, specat dhe patëllxhanët

Ato rriten mjaft lehtë në parmakun e dritares, aty ku i kap dielli më shumë. Ju mund të përdorni fara ose fidanë të vegjël.

Domatet përshtaten mirë nëse i vendosni në saksi dhe t’i varni në dritare, ndërsa specat dhe patëllxhanët janë më pak pjellorë nëse i mbillni në këtë mënyrë. Ato duan sipërfaqe me bazament.

Rrepat dhe karrotat

Shumë nga bimët që lëshojnë rrënjë kanë nevojë për saksi të thella. Por disa kultivarë të rrepave që nuk lëshojnë rrënjë thellë, rriten mirë në shporta apo saksi.

Farat mund të mbillen në fund të dimrit deri në mes të vjeshtës. Ato lëshojnë rrënjë 21-25 ditë nga mbjellja dhe mund t’i ripërdorni. Kultivarët e rrumbullakët të karrotës rriten me sukses në vazo dhe shporta.

Patatet

Fara e patates që përdoret për mbjellje në hapësira të jashtme mund të përdoret edhe në ambiente të brendshme, në saksi, kovë ose thasë plastikë.

Nga këto fara mund të përfitoni shumë kokrra të shijshme. Kur të mbillni farat në dhe, mos harroni të lini sa më shumë hapësirë, në mënyrë që të shtoni pleh shtesë për të ndihmuar në rritjen e tyre.

Kërpudhat

Kërpudhat janë ideale për çdo kohë të vitit. Ju nevojiten formate druri me pleh të veçantë ose me kashtë.

Kërpudhat kanë nevojë për ujitje përpara se t’i fusni në një vend të errët si në bufe, raft ose papafingo, ku temperatura duhet të jetë 10-15 gradë.

Fasulet dhe bizelet

Fasulet mbillen në vazo duke nisur nga fundi i dimrit e në vazhdim. Zgjidhni saksi me diametër të paktën 45 centimetra dhe me sistem të mirë kullimi.

Merrni pleh organik dhe siguroni një sistem të mirë mbështetjeje për bimën zvarritëse. Kokrrat e fasules dhe bizelet duhen futur 4 centimetra thellë në vazo.

Ato duhen vendosur në një vend plot diell. Pas tre javësh do të shikoni fidanë të vegjël. Fidanët do të rriten dhe zvarriten në shkopinjtë e vendosur në vazo. Ujitja është e rëndësishme.

Kur moti është i thatë, fasulet dhe bizelet kanë nevojë për ujitje të bollshme dy herë në javë. Pasi fidanët të kenë prodhuar kokrrat e para, mblidhini dhe vazhdoni të kujdeseni për bimën.

Për secilën bimë të preferuar, ju mund të drejtoheni tek tregu i fshatarëvë në qytetin ku jetoni. Në Tiranë, fidanët dhe farat shiten te Pazari i Ri dhe jo vetëm.

Mos hezitoni të kërkoni fara dhe fidanë tek fermeri juaj i besuar ku blini frutat dhe perimet./AgroWeb.org