Lulelakër me Vezë Për Një Vakt të Lehtë e Plot Shëndet  

1.8k 0

Një darkë e lehtë, padyshim e shijshme e mbi të gjitha e pasur në vlera ushqyese.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë dhe të shëndetshëm.

Kjo pjatë përbëhet nga dy përbërës fantastik në vlera ushqyese, vezë dhe lulelakër.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e thjeshtë të përgatitjes së lulelakrave me vezë krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Lulelakrave me Vezë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

  • 1 kg lulelakër
  • 2-3 lugë gjelle me miell
  • 3 kokrra vezë
  • 2-3 lugë gjelle djathë
  • 2-3 filxhanë kafeje me vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Djathë i bardhë (sipas preferencës)

Përgatitja

Lulelakra pastrohet nga gjethet dhe i hiqet kërcelli.

Tufat e mëdha të luleve ndahen në disa pjesë.

Lahen në ujë të ftohtë dhe lihen të zjejnë në ujë të valuar me kripë (15-20 minuta).

Lulelakra hiqet nga zjarri, kullohet uji dhe e nxehtë vendoset në një pjatë që të ftohet.

Ndahet në feta të vogla, të cilat spërkaten me pak kripë, piper, djathë të bardhë të thërrmuar ose djathë kaçkavall të grirë.

Më pas kalohen në miell, në vezët e rrahura dhe skuqen nga të dyja anët. Shoqërohen me domate dhe kastraveca të freskët.

Vlerat ushqyese të lulelakrës dhe vezëve

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Një filxhan me lulelakër të gatuar përmban 28 kalori.

Në të gjenden 2 gramë proteina dhe 12 përqind të dozës ditore të fibrës. Lulelakra është një burim i mirë i vitaminës C.

Në një racion të vetëm, do të mund të plotësoni të gjithë dozën e nevojshme ditore.

Vitamina K është e domosdoshme për një zemër të shëndetshme dhe kocka të forta.

Folati dhe vitamina B6 që gjenden tek lulelakra janë gjithashtu të rëndësishme për një metabolizëm dhe gjak të shëndetshëm./AgroWeb.org