Çikore, Limon, Hudhra të Njoma – Shëndet nga Natyra

4.6k 0

Çikorja është padyshim një nga barishtet më të mira që krahas shijes së lehtë e natyrale të saj, përfitimet për organizmin janë të panumërta.

Agroweb.org ju sugjeron më poshtë një sallatë të shëndetshme, e cila përgatitjet thjeshtë dhe lehtë, kombinuar me limon e hudhra dhe të marinuara me vaj ulliri.

Një mënyrë fantastike për të përfituar vlerat e çikores, të cilat bëhen edhe më të forta falë edhe përbërësve të tjerë krejt të shëndetshëm, e që lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje.

Në Shqipëri, çikorja ka qenë dhe mbetet një nga barishtet e bahçeve dhe parcelave të vogla dhe pjesë e përhershme e tregut të fshatarëve, por edhe kërkesave të amvisave.

Ideale si sallatë, në përgatitjen e byrekëve dhe gatimeve të tjera apo edhe si çaj, çikorja jo vetëm që i jep shije çdo recete por promovon dhe shëndetin e mirë gjithashtu.

Falë vlerave ushqyese të saj, AgroWeb.org ju këshillon ta bëni çikoren me patjetër pjesë të gatimeve në kuzhinën tuaj.

Sallata me Çikore, Limon dhe Hudhra

Përbërësit

  • 1 kg çikore
  • 1 kokërr limon
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • 1 hudhër e njomë

Përgatitja

Gjethet e çikores i pastrojmë mirë me ujë të rrjedhshëm disa herë.

Në mënyrë që të largohen të gjitha papastërtitë, AgroWeb.org ju sugjeron që çikoret t’i lini në ujë të ftohtë përreth 30 minuta e më pas kullojini dhe shpëlajini disa herë me ujë të bollshëm.

Më pas, vendosni një tenxhere me ujë dhe pak kripë në zjarr. Sapo uji të nisë të vlojë mirë hidhni çikoret që të ziejnë përreth 7-8 minuta.

Në vijim, kullojini nga uji, vendosini në një tas sallate apo pjatancë, provojini për kripë dhe marinojini me lëng limoni, vaj ulliri dhe hudhra të njoma të prera imët.

Nëse dëshironi, sallatës mund t’i shtoni edhe një lugë çaji me fara susami.

Vlerat ushqimore

Çikorja përmban minerale si zinku, magnezi, mangani, kalciumi, hekuri, kaliumi, acidi folik dhe vitaminat A, B6, C, E dhe K.

Vlerat shëndetësore

Një nga arsyet përse duhe të shtoni çikoren në dietën tuaj është se ajo përmirëson funksionet e aparatit tretës.

Çikorja luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të zemrës, fuqizimin e sistemit imunitar duke larguar të gjithë bakteret e rrezikshme.

Antioksidantët që gjenden në këtë bimë largojnë radikalet e lira nga qarkullimi i gjakut.

Kujdes

AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes në disa raste të konsumimit të çikores. Gratë shtatzëna nuk duhet ta teprojnë me çikoren sepse mund të stimulojë menstruacionet dhe me shumë gjasë një abort.

Për më tepër gratë që ushqejnë fëmijët me gji gjithashtu nuk duhet ta teprojnë me çikoren. Ndonëse studimet mbi transferimin e vlerave nga nëna tek fëmija nëpërmjet qumështit të gjirit janë të pamjaftueshme.

Për më tepër, çikoret janë të dëmshme për ata që kanë gur në tëmth ose kanë vuajtur nga problem të ngjashëm në të shkuarën.

Nëse nuk keni probleme të tilla mund ta shijoni çikoren pa u shqetësuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.