Kefiri – Mësoni të Përgatisni Pijen e Jetëgjatësisë

12.3k 2

Kefiri është një nga super ushqimet më të kërkuara të momentit.

Me shijen e tij karakteristike, që vjen pak si e athët, ai është i pasur me probiotikët që kemi dëgjuar kaq shumë.

AgroWeb.org ju sjell mënyrën se si ta përgatisni në shtëpi këtë pije plot vlera.

Çfarë është Kefiri?

Kefiri është një produkt bulmeti i ngjashëm me kosin dhe ajkën e qumështit.

Por ajo që e bën të veçantë këtë pije është mënyra se si përgatitet.

Në vend që të ngrohet qumështi dhe të lihet në ambient të ngrohtë, siç bëjmë kur përgatisim kosin, ju duhen vetëm të keni farat e kefirit.

Këto fara nuk janë vërtetë fara si ato të grurit apo elbit.

Por janë disa struktura qelizore të baktereve dhe tharmit, të cilët fermentojnë qumështin.

Çfarë vlerash ka për organizmin?

Si kosi dhe produktet e tjera të bulmetit, kefiri është i pasur me probiotikë, që ndihmojnë në tretjen e ushqimeve.

Gjithashtu kjo pije ndihmon në rujatjen e florës dhe nivelit të aciditetit të sistemit tretës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, procesi i fermentimit ndryshon disa nga proteinat e qumështit, duke e kthyer në një pije që tretet më lehtë.

Për disa persona që janë intolerant ndaj qumështit, kefiri është një zëvendësues perfekt.

Ku t’i gjeni farat e kefirit?

Mënyra më e mirë është që ta merrni nga një miku juaj.

Njihen si fara por në të vërtetë kanë formën e kërpudhës.

Farat pas një kohe të caktuar fillojnë dhe shtohen, dhe kushdo që e përgatit qumështin e kefirit vetë ka mjaftueshëm për ta shpërndarë.

Por nëse asnjë nga miqtë tuaj nuk e konsumon, mos u shqetësoni, farat mund t’i gjeni edhe në supermarkete ose në markete të specializuara.

Si të përgatisni Kefirin?

Për një gotë ju nevojiten:

250 ml me qumësht natyral jo i pasterizuar (si për shembull qumështi i fshatatrëve)

Një lugë çaji me fara kefiri

Një kavanoz apo enë qelqi

Përgatitja

Tek ena e qelqit vendosim farat e kefirit dhe më pas shtojmë qumështin me temperaturë ambienti.

E përziejmë ngadalë përbërjen me një lugë druri, duke treguar kujdes që të mos shkëputni farat e kefirit.

Mbulojmë kavanozin me një napë të pastër (si ato që kullojmë kosin) ose mund të përdorni një pecetë të hollë duke e kapur me një llastik.

Mos i vendosni kapak me filetim, pasi avujt që formohen nga fermentimi i farave mund të shkaktojnë një presion që në disa raste e thyen dhe kavanozin.

Përbërjen lëreni në temperaturë ambienti, për 16-18 orë.

Kur të vini re që qumështi ka filluar të pritet, pra të marrë formën e kosit, edhe pak orë duhen që ta keni gati.

Në periudhën e verës, fermentimi kryhet më shpejt, dhe mund të duhen rreth 12-16 orë.

Pasi kefiri të jetë gati, kullojeni me ndihmën e një site të vogël plastike.

Farat e kefirit që mbeten është e këshillueshme që t’i shpëlani pak në ujë të ftohtë para se t’i përdorni përsëri.

Si dhe të përdorni një enë të re qelqi sa herë që përgatisni kefir.

Qumështin e kefirit mund ta pini direkt pasi e keni kulluar ose ta ruani në frigorifer për jo më shumë se sa një javë.

Nëse doni që t’i ruani farat, AgroWeb.org ju sugjeron t’i vendosni në një enë me pak qumësht, dhe të mbuluar vendoseni në frigorifer. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.