Kur Reçeli i Shtëpisë zë Myk – Çfarë Duhet të Bëni dhe si Duhet Ruajtur

5.7k 0

Përgatitja e reçelërave është pjesë e traditës së amvisave shqiptare për shumë vite.

Nga fruta të larmishme, reçeli është shoqëruesi ideal i mëngjeseve në familje, por dhe përbërës i shumë ëmbëlsirave.

Një nga problemet që haset me ruajtjen e reçelit është pikërisht myku.

Të gjithëve mund t’iu ketë ndodhur që dhe pse e vendosni në frigorifer, reçeli fillon dhe formon në siparfaqe myk.

Myku zakonisht krijohet kur reçelit nuk i është hedhur mjaftueshëm sheqer, pra aq sa e kërkon receta e përgatitjes.

Një tjetër arsye e krijimit të mykut, janë enët ku ai vendoset për t’u ruajtur, nëse ato nuk janë të lara mirë shkaktojnë formimin e mykut. Por dhe kur përdoren lugë apo thika të cilat janë përdorur dhe në ushqime të tjera.

Kur lyejmë bukën me gjalpë, shumë pak nga ne marrim një thikë tjetër për të marrë reçelin.

Epo dhe thërrimja më e vogël e bukës apo sasia e vogël e gjalpit, i shkakton reçelit prishjen e ekuilibrave të mineraleve.

AgroWeb.org ju sjell në këtë artikull metodën më të thjeshtë për të shpëtuar reçelin tuaj nga myku.

Kjo mënyrë është e përdorshme vetëm kur myku është formuar në sipërfaqe të reçelit.

Nëse e shikoni që ai ka krijuar një shtresë me trashësi më shumë se 1 cm, nuk duhet ta konsumoni.

Mjafton që me një lugë të pastër të hiqni pjesët e mykut si dhe gati një centimetër të reçelit poshtë mykut.

Më pas hidheni reçelin në një tenxhere dhe shtoni sheqerin dhe lëreni derisa të vlojë.

Nëse keni një kavanoz me 1 kg reçel ju nevojitet afërsisht një gotë me sheqer.

Sheqer luan rolin e ruajtësit për reçelin. Ai mundëson që reçeli të mos prishet dhe të ketë një kohë përdorimi më të gjatë.

Për sa kohë mund t’i ruani reçelërat e përgatitur në shtëpi?

AgroWeb.org ju këshillon që për një cilësi sa më të mirë, dhe që reçelit të mos i kenë humbur vlerat, të përdoret brenda vitit.

Ai duhet të vendoset në një vend të errët dhe të thatë, me temperaturë 10-21 gradë Celsius.

Por me kalimin e kohës reçeli i përgatitur vetë fillon dhe ndryshon ngjyrë dhe dëndësi, duke u errësuar dhe fortësuar. Kjo është diçka e natyrshme, dhe ndodh për shkak të kristalizimit të sheqerit.

Për sa kohë mund t’i ruani reçelërat e përgatitur në shtëpi pasi i keni hapur?

Kavanozët e reçelit të hapur duhet të ruhen në frigorifer, dhe është e këshillueshme që të konsumohen brenda një muaji pasi të jenë hapur.

Pas çdo përdorimi të reçelit, ju i ndryshoni temperaturën dhe e përzieni me enë të ndryshme kuzhine. Kjo gjë i shkurton jetëgjatësin produktit tuaj. Prandaj është e mira që të konsumohet shpejt. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.