Domatja Qershi e Malësisë së Madhe – Si ta Mbillni në Shtëpitë Tuaja

2.2k 0

Në Qafë Gradë të Shkrelit, të Malësisë së Madhe kultivohet këtu për më se 70-80 vjet specia Solanum Lycopersicum.

Bëhet fjalë për domaten qershi, fara e së cilës është ruajtur e trashëguar brez pas brezi.

Aktualisht zë rreth 5-10 % të sipërfaqes që mbillet me domate në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton tepër i rrallë.

Kushtet e kultivimit të domates qershi të Malësisë së Madhe

Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli , toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.

Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje të shkurtra; lulëri e thjeshtë, 6-7 lulesa/bimë, me 10-12 fruta në lulesë.

Frutat janë të vegjël e të rrumbullakët, me peshë mesatare 15-20g; frutat e papjekur kanë ngjyrë jeshile të hapur, kurse kur piqen e kuqe e plotë; me shije të veçantë.

Domate me cikël të shkurtër; mbillet në 1-5 Maj dhe vjelja e prodhimit fillon pas 8-10 javë, në fund

Qershorit – fillim të Korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Kjo domate kultivohet në fushë të hapur, farat mbillen në farishte nga fundi i shkurtit, pra rreth 7-8 javë para largimit të ngricave të fundit.

Fidanët në fushë në ditët e para të Majit. Bimët e reja, para mbjelljes së tyre në fushë, “kaliten” për 10-14 ditë.

Mbjellja në fushë kryhet në ditë të ngrohta. Largësia e mbjelljes 60 – 70 cm midis rreshtave dhe 30-35 cm midis bimëve në rresht.

Pas mbjelljes bëhet ujitje, ngulen hunjtë mbështetës dhe lidhje e bimëve herë pas herë, çdo 30 – 45 cm.

Hiqen lastarët anësor që shfaqen në kërcellin kryesor. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.

Veçantitë:

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans (Mont ) de Bary ), temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Preferohet për konsum të freskët dhe gatime për konsum në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org