Kujdesi nga Dielli: Këshillat e Dermatologëve për Temperaturat e Larta në Evropë

523 0

Teksa në Europë po afrohen temperaturat e larta të stinës së verës, dermatologët shprehen se nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e mbrojtjes nga dielli.

Pse duhet të jemi të kujdesshëm? Si të zgjedhim një krem të përshtatshëm kundër diellit? Euronews ka kontaktuar me disa dermatologë, të cilët ndanë me ne këto këshilla.

Pse është e rëndësishme mbrojtja nga dielli?

“Nuk ekziston nxirja e shëndetshme prej diellit”, thotë një dermatolog.

“Nxirja është në fakt një shenjë që lëkura jonë është dëmtuar nga rrezet UV dhe po përpiqet të mbrojë veten nga një dëm i mëtejshëm. Ky lloj dëmtimi mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së kancerit të lëkurës”, paralajmëron Shoqata e Dermatologëve Britanikë (BAD).

Në 2018, ishin rreth 140 mijë raste të reja të melanomës së lëkurës në të gjithë Europën, sipas Observatorit Global të Kancerit, shumica e të cilave vinin si rrjedhojë e ekspozimit të tepërt në diell.

“Në më shumë se 4 nga 5 raste, kanceri i lëkurës është një sëmundje që mund të parandalohet”, thotë BAD.

Si të zgjedhim kremin me faktor mbrojtës kundër diellit?

“Kërkoni për një krem me SPF 30 ose edhe më të lartë”, thotë Dr Doris Day, një dermatologe nga Nju Jorku. SPF është akronimi i “sun protection factor”, e përkthyer si “faktori mbrojtës nga dielli”, dhe është tregues sesa është aftësia mbrojtëse e këtij produkti kundër diellit.

Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD) është e këshillueshme që kremi të jetë i rezistueshëm ndaj ujit.

“Zgjedhja në formë xheli apo kremi i përket preferencave personale, xheli është më i përshtatshëm për personat që merren me aktivitet sportiv dhe që kanë lëkurë të yndyrshme, ndërsa në formën krem është më e rekomandueshme për personat me lëkurë të thatë”, shpjegon Dr Day.

Si të përdorni kremin kundër diellit?

Rregulli numër një është që duhet ta përdorni me bollëk.

“Studimet kanë zbuluar se shumica e njerëzve aplikojnë më pak se gjysma e sasisë që këshillohet në paketimin e produktit”, thotë BAD.

Jo vetëm që duhet të aplikoni më shumë krem kundër diellit, por edhe më shpesh. “Rreth 80 për qind e produktit mund të hiqet pas përdorimit të peshqirit, kështu që duhet ta aplikoni sërish pasi keni qenë në det, apo keni djersitur” rekomandon BAD.

Pse nuk është i mjaftueshëm kremi me faktor mbrojtës?

Kjo do të thotë: shmangia e diellit të mesditës, të qëndroni në hije, mbajtja e kapelës, syzeve dhe përdorimi i kremit me faktor mbrojtës disa herë gjatë ditës, shpjegon Dr Day.

Në mesditë është e pamundur të keni hije për shkak të pozicionit të diellit dhe në këto orë janë edhe rrezet më të dëmshme si dhe rreziku për t’u djegur është më i madh./Burimi:Euronews