Amerikania nga Tropoja – Të Shpëtojmë Valbonën

505 0

Ajo është Amerikane. Quhet Catherine Bohne. Ishte viti 2009 kur erdhi në Shqipëri, për vetëm një javë…ose mbase dy dhe…është ende këtu. Catherine ka vendosur të jetojë në Shqipëri. Përgjithmonë. Dhe a ju shkon në mend se ku? Në pikën më veriore, në Tropojë. Ajo është tashmë një amerikane nga Tropoja. Jo vetëm ra në dashuri me shikim të parë me vendin, por edhe me njeriun që takoi në Valbonë, Alfredin. Është një histori romantike e aventurës fatlume të një gruaje që fati e çoi aty ku ajo kish ëndërruar. ‘Isha totalisht e mahnitur nga bukuria e Valbonës’ thotë ajo. Por askush nuk e detyroi të qëndronte aty…përveç vetë Luginës së Valbonës.

‘Erdha në Valbonë në vitin 2009 si turiste, por m’u deshën vetëm 24 orë për të krijuar një lidhje të veçantë me këtë vend. Mendoj që Valbona është një vend shumë i fuqishëm. Në atë kohë, më dukej sikur gjithçka këtu dhe çdo gjë që po më ndodhte në jetë po më thonin “Qendro në Valbonë’. Dhe kështu ndodhi’, e përmbledh Catherine historinë e lidhjes së saj kaq speciale me Valbonën, duke thënë për AgroWeb se mund të fliste pafund për këtë lidhje magjike.

Po ne kemi ende për të treguar për Catherine. Nëse kërkoni në Google me emrin e saj do të kuptoni lidhjen e saj kaq të fortë me Luginën e Valbonës. Ajo ka tashmë një blog ‘Udhëtim në Valbonë’ dhe së fundmi është shndërruar në “Zanën Mbrojtëse’ të bukurisë mahnitëse të Valbonës, duke kundërshtuar me të gjitha mënyrat ndërtimin e 11 hidrocentraleve që parashikohet të ndërtohen përgjatë lumit që mban emrin e zonës.

Catherine Bohne është e bindur se hidrocentralet janë një ‘lajm i keq’ për Valbonën.

‘Së pari padyshim është një katastrofë mjedisore. Valbona është një nga habitatet më unike në Evropë. Për më tepër, Valbona ofron një shkrirje fantastike mes ekosistemeve të Mesdheut, Arktikut dhe Alpeve. Aty ekzistojnë specie shumë të rralla të kafshëve, bimëve dhe askush ende nuk di gjithçka për zogjtë që ndodhen këtu. Studimet e shkencës në këtë zonë kanë qenë tejet sipërfaqësore, të limituara dhe deri më tani ne dimë shumë pak nga ajo që ofron Valbona. Ndaj thjesht idea që ky gur i çmuar i natyrës së egër evropiane mund të shkatërrohet para se të zbulohet plotësisht, të them të drejtën më thyen zemrën’, thotë ajo duke shfaqur hapur se si ndihet: ‘Më tërbon totalisht ideja.’

Për Catherine ‘Nuk ka asnjë dyshim që hidrocentralet do të shkatërrojnë lumin duke vendosur ato tubat gjigandë me diametër prej 3 metrash. ‘Ndërtimi i hidrocentraleve do të kërkojë ndërtimin e një sërë rrugëve, siç thotë vetë projekti ‘do të bëhen ndryshime madhore në këtë zonë të virgjër.’ Pra them se vështirë të mbetet diçka pas këtij shkatërrimi.

Arsyeja e dytë është ekonomike. Këto hidrocentralë kanë secili kapacitet prej 15 MW (për shkak të kapacitetit të ulët ata marrin statusin e hidrocentralit të vogël duke përfituar kështu lehtësira përsa i përket kontrolleve nga shteti) por kjo do të thotë gjithashtu se këto hidrocentrale nuk sjellin ndonjë ndryshim në shtimin e prodhimit të energjisë elektrike. Sigurisht pra, nuk sjellin ndonjë kontribut domethënës në ekonominë vendase, nëse supozojmë që ato do të vihen në punë. Planet e prodhimit të Dragobia Energy bazohen në prurjet prej 12.6 metër kub për sekondë ndërkohë që në studimet e tyre të mëparshme ata shprehen që prurjet e lumit janë maksimumi 7 metër kub në sekondë gjatë një muaji në vit ndërkohë që në pjesën tjetër të vitit, prurjet zbresin në 3 metër kub për sekondë. Arsyeja e tretë përse unë e kundërshtoj këtë projekt ka të bëjë me një proces të parregullt në dhënien e lejeve, thotë Catherine për AgroWeb.

Është krejt e qartë se licensat dhe lejet e ndryshme mesa duket nuk janë dhënë bazuar në cilësinë e aplikimeve të dorëzuar nga kompanitë e interesuara për këto hidrocentrale. Konsultat publike janë jashtëzakonisht të papërshtatshme, me një kompani që ka dorëzuar 20 firma nga banorët dhe një tjetër që ka dorëzuar 12 firma si ‘provë’ e mbështetjes publike, ndërkohë që secila prej firmave të hedhura është lehtësisht e diskretitueshme! Disa prej njërëzve që rezultojnë të kenë firmosur kanë qenë në fakt të vdekur në atë kohë, të tjerët jo vetëm që nuk kanë firmosur në atë letër, por nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për planet e kompanisë. Disa të tjerë janë të punësuar në kompani ose kanë një lidhje direkte me të.

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis jo vetëm që nuk përmend pasojat negative që vijnë nga këto projekte (gjë që është e pamundur), por shpalos edhe një mungesë absolute njohurish në lidhje me biodiversitetin, ndërsa as nuk përmend faktin që bëhet fjalë për një ‘Zonë të Mbrojtur’ prej 20 vitesh.’

Kur Catherine dhe ambjentalistët dëgjuan për projektin e parë ‘Tplan’ në vitin 2013, u shqetësuan shumë. Por në Janar të këtij viti, kur mësuan për projektin Dragobia Energy, gjithçka mori një tjetër rrjedhë, sepse bëhej fjalë për projekte edhe më shkatërruese dhe flitej se zbatimi do të niste brenda pak muajsh (mbase edhe javësh).

Ka ende shpresë!

Kur e pyesim – A mendon se ekziston një vullnet i mirë për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve? – përgjigjia është optimiste: ‘Po, në fakt mendoj se ka vullnet të mirë. Nuk besoj se gjithkush mendon se këto hidrocentrale janë një ide e mirë, përveç kompanisë zhvilluese. Madje edhe në qeveri, shumë zyrtarë na kanë thënë “Ju vetëm duhet të provoni se keni një mbështetje të gjerë publike, e më pas në mund të vijojmë çështjen.’ Catherinë thotë se Ministria e Mjedisit ka punuar fort për të përpiluar ligjet e duhura për të mos lejuar ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Do t’u thoja të gjithëve: ‘Mos dëgjoni ata që thonë se nuk prishin dot kontratat. E vërteta është që leja mjedisore për thuajse të gjitha kompanitë ka skaduar. Sipas legjislacionit shqiptar, këto kompani duhet të aplikojnë sërish për leje të reja mjedisore. Duhet t’ia nisin nga e para, përfshirë Vlerësimin e Impaktit Mjedisor dhe konsultimet publike. Nuk ma merr mendja që do ia hedhin paq për herë të dytë. Edhe pse kanë liçensa, për ironi të fatit këto kompani nuk kanë leje mjedisore. Kjo e bën punën tyre të paligjshme.

‘ Por cili mund të jetë një burim i mirë për rritje ekonomike në Shqipëri? ‘Turizmi’, pohon prerazi ajo. ‘Valbona është tashmë një nga atraksionet më të njohura turistike në Shqipëri. Vetëm vjet plot 40,000 vizitorë erdhën në Valbonë. Turizmi në këtë zonë nuk është i mirë vetëm për Valbonën, por ka potencial të madh për gjithë zonën e Tropojës dhe për ekonominë e Shqipërisë në përgjithësi. Të ardhurat nga turizmi derdhen direkt në ‘xhepat’ e Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nisur nga ai bariu që prodhon djathë tek njerëzit që menaxhojnë aeroportin. Turizmi në këtë zonë sapo ka nisur. Në Kroaci, turizmi zë 17% të GDP-së që arrin në 7 Miliardë Euro në vit. Përfitimet që sjellin hidrocentralet do të derdhen vetëm në një apo dy xhepa.

Një mesazh i fundit

A kam një mesazh? Sigurisht që po…por mesazhi im varet nga personi të cilit i drejtohem. Dikujt mund t’i them “ Si dëshiron të mbahesh mend në histori?” (mendoj që e kuptoni se për kë e kam fjalën) Dikujt tjetër dua t’i them: “ndoshta nuk dëshiron të përfshihesh në këtë histori për shkak të telasheve, por ia vlen. Mospërfshirja është në fakt ajo që sjell më shumë telashe.” Institucioneve ndërkombëtare dua t’u them: “ju lutem financoni projekte të rëndësishme që trajtojnë problem kryesore si qeverisja e mirë, ndërgjegjësimi publik, çështjet e pronësisë.”

‘Valbona është një thesar’ – thotë me pasion Catherine. ‘Për shumë njerëz, vendas dhe të huaj. Valbona ka vlera të pafundme. Mendoj që nuk është një veprim i drejtë e aq më pak i mençur për ta shkatërruar atë për arsye të cekëta; për hir të projekteve absurde që mund t’i sjellin përfitime një ose dy njerëzve apo për faj të përtacisë në mbrojtjen e saj. Po. Ne mundemi ta mbrojmë Valbonën. Patjetër! /AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.