Si Të Zgjidhni dhe Të Ruani Fiqtë – Këshilla Praktike Për Më Shumë Freski

525 0

Konsiderohen si ndër frutat më ndjellëse, me një shije shpërthyese mes të ëmblës dhe të athtës.

Nuk gjenden me sasi të mëdha në treg aktualisht, por kjo duket se i bën akoma dhe më të veçantë dhe magjikë.

Kryesisht ato vijnë nga zona e Beratit, e cila shquhet për prodhimin e fiqve, por dhe Himara e Saranda kanë një prodhim të mirë të tyre.

Edhe pse fiqtë zakonisht janë ndër frutat që konsumohen shpejt, gjithsesi lexoni disa këshilla nga AgroWeb.org si t’i zgjidhni dhe t’i ruani fiqtë e freskët.

Ekzistojnë rreth 150 lloje fiqsh, me ngjyra të ndryshme si të zinj, kafe, vjollcë, deri në disa variacione të fiqve të bardhë.

Në Shqipëri rriten disa lloje fiqsh, disa më të hershëm në prodhim e disa të tjerë më të vonshëm, kryesisht të bardhë dhe të zinj, si edhe varietete të fiqve më të vegjël, të quajtur rreka të cilët dalin në treg në fund të verës.

Turqia zë vendin e pare në botë për prodhimin e fiqve, ndërsa sipas të dhënave të AgroWeb.org, Shqipëria raportohet të renditet si vendi i tetë në botë për prodhimin e këtij fruti.

 

Si t’i zgjidhni?

Fiqtë janë shumë delikatë, edhe për faktin se pasi arrijnë pikun e pjekjes zgjedhja e tyre bëhet pak më e vështirë.

Idealët janë ata të butët, por jo të qullët. Nëse janë dhe pak të çarë në lëkurë nuk përbëjnë asnjë problem.

Ata që i pëlqejnë shumë fiqtë, duhet të bëjnë kujdes që të mos jenë të tharë dhe të mos mbajnë erë fermentimi.

Si t’i ruani?

Janë aq delikatë sa medoemos duhet t’i vendosni në frigorifer, pasi ato do të fillojnë të prishen vetëm disa orë pasi janë këputur nga pema.

Këshilla shtesë

Fiqtë jeshilë janë idealë për t’i tharë dhe për t’i konsumuar më pas gjatë vitit.

Ndërkohë, sipas të dhënave të AgroWeb.org, që fiqtë e zonës përgjatë Adriatikut, janë fiqtë më të mirë që mund të keni provuar ndonjëherë.

Fiqtë kanë veti tretëse të shkëlqyera, për shkak të enzimave të cilat bëjnë të mundur asimilimin e ushqimeve dhe substancave si kalciumi, hekuri, potasi, magnezi dhe vitaminat A, B1, B2, B6, PP dhe C.

Ata konsiderohen një aleat i mirë i aparatit tretës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.