Bimët mjekësore me aftësi shëruese janë përdorur në metodat tradicionale dhe jo tradicionale mjekësore që 5000 vjet më parë.
Qytetërime të ndryshme i kanë përdorur ato jo vetëm për të qetësuar sistemin nervor por edhe për ta mbrojtur organizmin nga stresi dhe ankthi.
Më poshtë do të lexoni nga AgroWeb.org, për bimët mjekësore shëruese që luftojnë ankthin apo stresin dhe i kthejnë organizmit qetësinë e humbur.
Bimët e mëposhtme mund të pihen si çaj ose të përdoren në terapi të ndryshme aromash.
Bimët Mjekësore që Shërojnë Ankthin dhe Stresin
Kamomili
Kamomili është një nga bimët më të lashta mjekësore që njeriu ka përdorur.
Kjo bimë është efikase kundër inflamacionit, kontraktimeve muskulare, reumatizmës, çrregullimeve të ciklit, pagjumësisë, ulçerës, çrregullimeve të sistemit tretës.
Kamomili ka efekt qetësues dhe nxit gjumin.
Ky efekt është si pasojë e një flavonoidi që ndërlidhet me receptorët e trurit.
Sipas studimeve, pirja e përditshme e këtij çaji për tetë javë me rradhë luan një rol kryesor në pakësimin e simptomave të ankthit.
Kamomili është çaji më popullor në botë me një milionë filxhanë të pirë në ditë.
Lavanda
Lavanda me aromë të mirë është një kurë ideale kundër pagjumësisë, lodhjes, depresionit dhe ankthit.
Emri i bimës vjen nga Latinishtja ‘lavare’, që përkthehet “të lash.”
Këtë emër, bima e ka marrë sepse ka qenë dhe mbetet një nga bimët medicinale më të përdorura në sapunë dhe shampoo.
Ajo ka efekt pastrues për trupin dhe shpirtin, madje ka ndikim të fortë në zbutjen e simptomave të ankthit.
Lulja e Pasionit apo Lule Sahati
Në fillimet e saj, Lulja e Pasionit apo Lule Sahati është përdorur për të trajtuar histerinë dhe nervozizmin.
Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se kjo lule rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe rrit ndjesinë e qetësisë.
Studimet kanë treguar se pacientët që kanë marrë suplementë të lules përpara ndërhyrjes kirurgjikale kishin më pak ankth dhe zgjoheshin më qetë nga anestezia.
Bari i Bletës
Bari i bletës është pjesë e familjes botanike të mentes.
Kjo bimë është përdorur kundër stresit dhe ankthit që në Mesjetë.
Ajo ka efekt qetësues dhe gjumësjellës.
Studimet që janë kryer tek njerëzit që vuajnë nga ankthi kanë zbuluar se çajrat ose suplementët e barit të bletës përmirësojnë humorin, ulin ankthin dhe rrisin ndjesinë e qetësisë dhe relaksit.
Valeriana
Valeriana është përdorur prej mijëra vitesh kundër pagjumësisë dhe ankthit.
Shkencëtarët besojnë se valeriana rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe e mban atë të qetë./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje