Luftoni Stresin dhe Ankthin me Lulen e Sahatit

3.8k 0

Lulja e sahatit është e njohur për vetitë e saj qetësuese.

Kjo lule me emrin botanik Passiflora njihet ndryshe si lulja e pasionit. Në grupin e kësaj luleje, bëjnë pjesë 500 specie të ndryshme të familjes Passiflora.

Ekspertët e AgroWeb.org kanë identifikuar pesë vlera kryesore të lules së sahatit për shëndetin e njeriut.

Më poshtë do të lexoni më shumë për mënyrën e rritjes dhe shfrytëzimit të lules dhe pjesëve të saj – kërcell, gjethe, lule – kundër disa shqetësimeve shëndetsore.

1. Lulja e sahatit ul tensionin e gjakut

Shkencëtarët besojnë se një përbërë kimik i lules së sahatit që quhet acidi edulilik ndihmon në uljen e tensionit të gjakut.

Tuli i frutit të lules së sahatit është një kurë e mirë për uljen e tensionit. Ky efekt ndihet pas përdorimit të 8 miligramëve të lules së sahatit për një periudhë pesë ditore.

Rezultatet shkencore kanë treguar se ekstrakti i lules së sahatit rrit nivelet e një enzime të caktuar, që luan rolin e antioksidantit dhe ul nivelet e lipideve të oksiduara që shkaktojnë dëme të shumta, duke akumuluar toksinat e rrezikshme në trup.

2. Për një gjumë më të qetë

Një nga përdorimet më të zakonshme të çajit ose ekstraktit të lules së sahatit në mjekësi është kundër pagjumësisë.

Gjatë studimeve të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë arritur në konkluzionin se konsumi i dozave të vogla të çajit të lules së sahatit ofron përfitime afatshkurta tek të rriturit që vuajnë nga pagjumësia.

3. Lehtëson dhimbjet

Lule sahati ka një efekt qetësues dhe zbeh kontraktimet. Rrjedhimisht, lulja e sahatit ndihmon në uljen dhe zbutjen e dhimbjeve fizike.

Këtë lule mund ta konsumoni nëse vuani nga dhimbjet menstruale, apo për të ulur dhimbjen e kokës. Lulja e sahatit mundet të ndihmojë edhe në lehtësimin e kontraktimeve të muskujve dhe dhimbjes së dhëmbëve.

4. Ndihmon kundër stresit dhe ankthit

Lulja e sahatit përdoret gjerësisht kundër acarimeve nervore, ankthit dhe stresit.

Në ndryshim nga medikamentet më të përdorura kundër këtyre shqetësimeve, lulja e sahatit nuk ka efekte anësore (trullosje, drobitje), ose nuk lë pasoja në punën tuaj ditën e nesërme.

5. Kundër depresionit

Pjesëmarrësit e një studimi të huaj konsumuan suplementë të lules së sahatit çdo ditë për një periudhë gjashtë mujore. Ata nisën të ndiheshin mirë që në javën e tretë. Shkencëtarët arritën në konkluzionin se lulja e sahatit ofron avantazhe për femrat e prekura nga menopauza.

Megjithatë, mjekët këshillojnë që njerëzit të mos e konsumojnë lulen e sahatit, nëse marrin ilaçe të rekomanduara kundër depresionit apo stresit.

Receta dhe përdorimi i lules së sahatit

Lulen e sahatit mund ta përdorni si tretësirë ose çaj. Zieni në çajnik një gotë me ujë. Merrni një lugë çaji me lule të thatë dhe hidheni në çajnik. Ziejeni për 10 minuta dhe më pas kullojeni. Pijeni sipas dëshirës. Lulen e sahatit mund ta përfshini edhe në vaskë për të pasur një eksperiencë vërtet qetësuese.

Receta e mëposhtme e sugjeruar nga AgroWeb.org për çajin e lules së sahatit, do t’ju vijë në ndihmë dhe do t’ju ofrojë qetësi, duke larguar ankthin.

Çaji me lule sahati dhe kamomil që largon ankthin

1 deri në 1 lugë e gjysmë çaji me kamomil të thatë
1 deri në 1 lugë e gjysmë çaji me lule sahati të thatë
1 lugë çaji me mjaltë të pastër (opsionale)
1 filxhan me ujë

Këtë çaj pijeni sa herë që ndiheni në ankth ose përpara se të shtriheni për të fjetur./AgroWeb.org