Mjalti i sherebelës, një kombinim i shëndetshëm

1.6k 0

Sherebela, është një nga bimët aromatike më të mira që gjendet lehtë në Shqipëri. Emri latin i saj është Salvia officinalis, gjë që tregon se kjo bimë e bukur e Mesdheut ka merituar respekt anë e mbanë globit. Salvia në latinisht vjen nga fjala “salvere” që do të thotë “të shpëtosh”.

Sherebela është përdorur historikisht jo vetëm si kurë kundër sëmundjeve epidemike, por edhe për tharjen e qumështit të gjirit ose për të lehtësuar nga kolla. Sherebela është një bimë aromatike shumë e dashur dhe e përdorur gjërësisht për shekuj me rradhë.

Sherebela në Shqipëri: Origjina e kësaj bime është Mesdheu, por ajo është gjërësisht e përhapur në botë. Sherebela është një nga krenaritë e Shqipërisë krahas rigonit dhe trumzës që eksportohen gjërësisht në shumë vende të botës. Por sherebela konsiderohet mbretëresha e të gjitha bimëve mjekësore. Shqipëria është një nga furnizuesit më të mëdhenj të sherebelës në tregun amerikan. Vendi ynë mbulon 70% të nevojave të tregut amerikan për sherebelë.

Sherebela lufton bakteret, mykun, infeksionet. Stimulon djersitjen, qetëson nervat, ul temperaturën, ka rol qetësues dhe stimulues. Ajo është një bimë interesante, ndikimi i të cilës tek njeriu është i shumëllojshëm. Mund të jetë një bimë e ngrohtë ose freskuese në varësi të njeriut. Nëse dëshironi ta provoni ndikimin e saj, merrni një gjethe sherebele dhe përtypeni. Vëreni ndjesinë që ju krijon dhe do ta kuptoni.

Receta e mjaltit të sherebelës

Nëse konsumoni një lugë me sherebelë të tretur në mjaltë, atëherë do të arrini të shëroni fytin e lënduar. Nëse e hidhni në çaj, do të djersini më lehtë, temperatura e lartë do të ulet dhe trupi do të çlirojë më shumë sekrecione nga goja, fyti dhe mushkëritë. Në të njëjtën kohë ajo luan rolin e antibiotikut.

Përbërësit:

Kavanoz qelqi i pastër

Sherebelë të freskët të mjaftueshme për të mbushur gjysmën e kavanozit, ose të thatë për të mbushur çerekun e tij.

Mjaltë në sasi të mjaftueshme për të mbushur pjesën e mbetur të kavanozit.

Udhëzimet:

• Pastroni mirë kavanozin dhe shpëlajeni me ujë të nxehtë. Lëreni të thahet.

• Copëtoni sherebelën e freskët ose të thatë dhe hidheni në kavanoz sipas përshkrimit të mësipërm.

• Mbusheni pjesën e mbetur të kavanozit me mjaltë duke lënë një hapësirë boshe tek pjesa e kapakut.

• Mbyllni kapakun dhe vendoseni kavanozin në një vend të thatë, të errët dhe të freskët për dy deri në katër javë.

• Përdoreni sipas dëshirës. Do të mjaftojë edhe një lugë gjelle me këtë mjaltë në mëngjes dhe darkë.

Mjaltin me sherebelë mund ta kombinoni edhe me disa bimë të tjera aromatike ose erëza sipas recetës së mësipërme.

Xhenxhefili ngroh trupin, lufton mikrobet, ul dhimbjet dhe ka shije të mirë. Kombinimi i sherebelës me xhenxhefilin është i pazakontë, por do t’ju kënaqë qiellzën dhe është shumë efikas. Një copëz xhenxhefil prej 5 centimetrash, shtypet derisa të bëhet pastë dhe shtohet në formulë e mësipërme.

Kanella është një tjetër erëz shijemirë që lufton mikrobet dhe ul dhimbjet. Ajo ofron një kurë të përshtatshme kundër virozave dhe ka një shije të mirë. Kanella është më shumë se një erëz aromatike festash. Një shkop 3-4 cm kanellë shtypet dhe shtohet në recetën e mjaltit me sherebelë.

Rozmarina është e mrekullueshme dhe përshtatet shumë me sherebelën, disa degëza rozmarinë në përbërjen e cituar dhe do t’i bëni nder mendjes dhe organizmit tuaj./AgroWeb.org