Si të Përmirësoni Tretjen me Çajin e Lulerradhiqes dhe Xhenxhefilit

1.8k 0

Çajrat bimorë janë padyshim një nga trajtimet më të mira e të shëndetshme për përmirësimin e sistemit tretës.

Në varësi të bimëve që përzgjidhni, ju mund t’i vini në ndihmë organizmit e të vini në punë sistemin tretës.

Lulerradhiqja është padyshim një nga bimët më të mira për tretjen dhe kundër problemeve me stomakun.

Në kombinim me xhenxhefilin, lulerradhiqja mund të bëhet aleatja juaj e përditshme për një shëndet të shkëlqyer të stomakut dhe jo vetëm.

Xhenxhefili dhe lulerradhiqja së bashku mund të  zihen si çaj, i cili duhet pirë rregullisht çdo mbrëmje për të mbrojtur shëndetin e stomakut.

Vlerat e Xhenxhefilit Për Tretjen

Xhenxhefili është përdorur prej shumë kohësh për qetësim të sistemit tretës.

Ai rekomandohet të pihet si çaj për të zgjidhur problemet me konstipacionin por edhe për të fuqizuar imunitetin.

Vlerat e Lulerradhiqes Për Tretjen

Lulerradhiqja është shumë e pasur me vitaminën A, minerale dhe përmban më shumë proteinë se spinaqi.

Ajo është përdorur prej mijëra vitesh kundër një sërë çrregullimesh, përfshirë këtu edhe depresionin.

Çaji i lulerradhiqes përmirëson tretjen, vë zorrët në punë dhe balancon bakteret natyrale aty.

Si Të Përgatisni Çajin e Lulerradhiqes Me Xhenxhefil

Për këtë çaj ju nevojiten:

1 copë e vogël xhenxhefili (rreth 2 cm),

2 lugë gjelle me lulet dhe gjethet e thata apo të freskëta të lulerradhiqes,

1 lugë çaji me lule kamomili

5 gota me ujë të valuar.

Pasi të ketë valuar uji, hidhini të gjitha bimët në çajnik, fikeni zjarrin, mbyllni kapakun dhe prisni të paktën pesë minuta.

Më pas, çajin kullojeni, hidheni në filxhanin tuaj të preferuar, ëmbëlsojeni me pak mjaltë dhe pijeni të ngrohtë.

Ky çaj i shëndetshëm rekomandohet të pihet në mbrëmje, sepse përveç përmirësimit të tretjes, do ju ndihmojë të flini më mirë.

Kjo ndodh për shkak të përfshirjes së kamomilit tek çaji i cili siç e dimë ka veti qetësuese./AgroWeb.org