Prekja nga një kandil deti shkakton jo vetëm djegie dhe irritime në lëkurë por ndikon negativisht edhe në organizmin e njeriut.
Menjëherë sapo kandili i detit bie në kontakt me trupin e njeriut, ai lëshon gjemba ekstremisht të vegjël brenda në lëkurë, duke injektuar një lëng helmues.
Krahas djegies së lëkurës dhe plagëve në të, lëngu helmues i kadilit të detit ndikon edhe në shkaktimin e dhimbjeve të kokës, të vjellave, marrje mendsh, dobësim të muskujve dhe rrahje të shpeshta zemre.
Në disa raste, prekja nga kandili i detit shkakton lotim nga sytë, probleme në frymëmarrje dhe rrufë.
Alergjia është gjithashtu një nga simptomat që mund të shfaqë prekja nga kandili i detit.
Në rastet të ngërçeve të gjata dhe të forta muskulore apo në rast se zona e prekur nga kandili i detit infektohet atëherë do t’ju duhet me patjetër të këshilloheni me mjekun.
Si të lehtësojmë efektet e thumbave nga kandilat e detit
Trajtimi më i mirë që u bëhet simptomave të prekjes nga kandili i detit varet nga efekti që ai shkakton në lëkurë dhe organizëm.
Por në përgjithësi, thumbat nga kandilat e detit mund të trajtohen dhe lehtësohen edhe në mënyrë natyrale në shtëpi.
Hiqni thumbat:
Largoni çdo pjesë të tentakulave të kandilit që ka mbetur në lëkurë duke e shpëlarë atë me ujë deti.
Evitoni prekjen e zonës së lëkurës së lënduar me rërë.
Mos hidhni ujë të ftohtë në zonën e lënduar si dhe mos e fshini atë me peshqir.
Këto dy mënyra mund të irritojnë edhe më shumë lëkurën duke i riaktivizuar tentakulat.
Shpëlani lëkurën e lënduar me uthull ose me sodë:
Për 30 sekonda hidhni pak uthull mbi zonën ku lëkura është prekur nga kandili. Ose, aplikoni sodë të përzier me ujë deti.
Secila nga këto dy metoda rrëzon tentakulat e kandilit dhe lehtëson dhimbjen e shkaktuar.
Dush të ngrohtë dhe kuba akulli:
Përdorni ujë të ngrohtë-aq sa trupi ka mundësi për ta toleruar por jo mbi temperaturë 45 gradë, ndërkohë vendosni kuba akulli të ftohtë në zonën e lënduar.
Kjo do të lehtësojë irritimin dhe dhimbjen gjithashtu./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje