Si të Përgatisni Feta Të Thata Portokalli Në Shtëpi

1.5k 0

Portokalli është një agrume shumë e shëndetshme për organizmin e njeriut.

Ai është një burim i shkëlqyer i vitaminës C e cila është tepër e nevojshme për ta bërë imunitetin e njeriut më të fortë, sidomos në kohë virozash.

Portokalli është shumë i shijshëm dhe mund të konsumohet i tërë duke plotësuar nevojat e trupit jo vetëm për vitaminën C por edhe për fibër e ushqyes të tjerë.

Një mënyrë tjetër për të shijuar këtë agrume është shtrydhja e tij në lëng të shijshëm e freskues.

Në AgroWeb.org do të mësoni edhe një mënyrë tjetër për të shijuar portokallin, atë të tharjes.

Si T’i Thani Në Shtëpi Fetat e Portokallit

Këto feta janë jo vetëm të shijshme por edhe përbëjnë një mënyrë klasike të dekorimit aromatik në shtëpi.

Mënyra e tharjes është shumë e thjeshtë.

Prijini portokallet në feta rrumbullake me një trashësi prej 1 cm.

Hiqini farat dhe vendosini në një tabaka.

Fshijini në sipërfaqe me një letër kuzhine për të përthithur lëngun e tepërt.

Në lëkurën e portokallit mund të fusni disa fara karafili jo vetëm për më shumë aromë dhe shije por edhe për zbukurim.

Më pas, fetat spërkatini me erëza aromatike siç mund të jetë kanella, xhenxhefili por edhe sheqeri.

Ndizeni furrën në 65 gradë, ose në gradacionin më të ulët në mënyrë që të shmangni djegien e fetave të portokallit.

Vendosini fetat një nga një në skarën e furrës duke u lënë pak hapësirë.

Futini në furrë dhe çdo 30-45 minuta kthejini në anën tjetër.

Ato duhen mbajtur në furrë për 3-5 orë.

Pas tharjes, hiqeni skarën nga furra dhe lërini portokallet të ftohen në temperaturë ambienti për rreth 30 minuta.

Përveç furrës, portokallet mund të thahen edhe në diell në një mot të nxehtë dhe të thatë.

Fetat e portokallit mund t’i rreshtoni në një tavë ku keni vendosur një napë pambuku të cilën duhet ta vendosni pranë një dritareje me ndriçim të lartë të diellit të cilën duhet ta lini hapur për të qarkulluar ajri.

Në këtë mënyrë, fetat e portokallit mund të thahen për 6 deri në 8 orë. /AgroWeb.org