Pengjiri i Kolonjës – Tradita e Ëmbël e Nënave Shqiptare

2.8k 0

Kulinaria shqiptare spikat në secilën prej krahinave të saj.

Receta të ëmbla e të kripura, autentike shqiptare të trashëguara brez pas brezi deri në ditët e sotme.

AgroWeb.org sjell një ëmbëlsirë tipike tradicionale të Kolonjës, një zonë e njohur për gatimet e shijshme të saj.

Bëhet fjalë për Pengjirin, një ëmbëlsirë fantastike e butë dhe me sherbet që të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Pengjiri është traditë edhe e Korçës, Pogradecit si edhe Ersekës.

Dikur, gratë kolonjare e përgatisnin Pengjirin kur familja kishte një ditë të shënuar feste, ditëlindje apo edhe gëzime të tjera familjare.

Sot, Pengjiri jo vetëm që përgatitet ashtu si dikur por është pjesë e pandashme e listës së ëmbëlsirave tradicionale që ndodhen në shumë pastiçeri e gjithashtu në restorante të ndryshme.

Përgatitja e Pengjirit në Shtëpi

Përbërësit

  • 10 vezë të freskëta
  • 10 lugë gjelle sheqer
  • 10 lugë gjelle miell gruri
  • 1 lugë e vogël kafeje me sodë
  • Thelpinj bajamesh (sipas dëshirës)

Për sherbetin

  • 5 gota ujë
  • 1 kg sheqer
  • Një lugë kafeje vanilje pluhur
  • Lëngu i një kokërr limoni

Përgatitja e sherbetit

AgroWeb.org ju sugjeron të hidhni gjithë përbërësit në një tenxhere dhe t’i lini të ziejnë derisa masa të trashet në formën e sherbetit.

Përgatitja e Ëmbëlsirës

Si fillim, në një tas të madh shtohen të bardhat e vezëve dhe rrihen fort bashkë me sheqerin derisa të krijohet një masë e njëtrajtë dhe e fryrë si shkumë.

Më pas shtohen të verdhat e vezëve, dhe rrihen. Shtohet mielli lugë-lugë ndërsa masa trazohet pa ndërprerje.

E gjithë masa hidhet në tepsi e cila është lyer më parë me pak vaj dhe është spërkatur me pak miell.

AgroWeb.org ju këshillon që tepsia të mbushet në ¾ e lartësisë së saj, sepse gjatë pjekjes brumi rrit vëllimin e tij.

Futet për pjekje në furrë të parangrohur në temperaturën 150 gradë. E lëmë të piqet përreth 1 orë derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Kur hiqet nga furra lihet të ftohet dhe i hidhet sherbet i vakët./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.