Qofte Shtëpie në Qull me Arra – Shije e Përsosur nga Tradita

3.5k 0

Tradita e kuzhinës shqiptare ofron një larmishmëri recetash e gatimesh speciale, nga ato që tërheqin oreksin me shijen e tyre fantastike.

Një prej këtyre recetash, qoftet me qull dhe arra.

Është ndër gatimet me shijen më të përkryer që lezetosin tryezën kur i përgatit e shërben.

Përgatitja e qofteve dhe recetat e pafundme në kombinimin e tyre me perime nga më të ndryshme a me mish të grirë, të përgatitura thjeshtë e të shoqëruara me salcë domatesh, arrash e të tjera përbërës janë një mënyrë ideale për të kënaqur gjithë familjen.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së qofteve të shtëpisë me qull dhe arra, një kombinim perfekt shijesh e aromash që padyshim do shndërrohet ndër gatime më të preferuara në familje.

Përgatitja e Qofteve me Qull dhe Arra

Përbërësit

Për Qoftet

  • 300-400 gr mish i grirë
  • 2 feta të holla buke
  • 1 kokërr vezë
  • 2 lugë gjelle miell
  • 1-2 kokrra qepë
  • 4 thelpinj hudhrash
  • Nenexhik
  • Majdanoz
  • Kripë

Për qullin

  • 2 lugë gjelle me miell
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 3-4 garuzhde me ujë
  • 2 lugë gjelle me arra të shtypura
  • Kripë

Përgatitja

Në fillim AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni qoftet si zakonisht. Bashkoni të gjithë përbërësit në një enë. Fetat e bukës lagini me pak ujë që të zbuten para se t’i hidhni tek përbërësit.

Përziejini të gjitha bashkë derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas masën e krijuar ndajeni në toptha të vegjël.

Kalojini në miell, skuqini dhe lërini mënjanë.

Ndërkohë në tiganin ku kemi skuqur qoftet hedhim miellin e kaurdisim për pak dhe shtojmë ujin e kripë dhe vijojmë ta përzjejmë derisa të krijohet një masë kremoze por jo shumë e trashë.

Masa zihet për 2-3 minuta dhe hiqet nga zjarri.

I hidhet pak uthull si dhe arra të shtypura. Sipas dëshirës hidhen edhe hudhra të shtypura.

Në pjatë vendosen qoftet dhe mbulohen me qullin e përgatitur spërkaten me pak majdanoz të freskët dhe jani gati për t’u shërbyer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.