Uthullën e frutave mund ta përgatisni jo vetëm nga molla, por edhe nga dardha. Vlerat dhe përfitimet që vijnë nga konsumimi i uthullës së frutave janë të panumërta dhe lehtësisht të provuara.
Prej kohëve të vjetra, uthulla e frutave është një nga traditat e zahireve të krahinave shqiptare. Kjo kryesisht ndodh në rajonet ku kultivohen shumë fruta dhe gjithmonë ka mbetje të tyre në përfundim të sezonit.
Nëse konsumoni pak nga kjo uthull përpara se t’i dorëzoheni ëmbëlsirave, atëherë nuk do të përballeni me rrezikun e prishjes së ekuilibrit të sheqerit në gjak.
Uthulla e holluar e frutave qetëson fytin dhe përmirëson tretjen.
Shija e uthullës së frutave është një vlerë e shtuar për çdo gatim. Ju ka ndodhur shpesh që kur provoni një gatim, mendoni se në të mungon diçka por nuk e dini se çfarë.
Përgjigjia është: uthulla. E vërteta është se edhe ëmbëlsirat nuk janë të plota nëse në to nuk ka një nuancë të athët.
Siç AgroWeb.org theksoi në fillim, uthullën e frutave tashmë mund ta përgatisni edhe nga dardhët.
Qërojeni dardhën, shtoni pak sheqer, lëreni të fermentohen për 4-5 javë dhe do të përfitoni një lëng të thartë që mund të konsumohet plot shije.
Uthulla është një produkt që kushton, por ju mund ta përgatisni lehtësisht në kushtet e shtëpisë. Lexoni recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org.
Uthulla e dardhës
Nëse dëshironi të përgatisni katër litra me uthull dardhe ju nevojiten:
- 1 filxhan me lëkurë dardhe
- 8 – 10 dardha të shtypura mirë
- 1 filxhan me sheqer
- 4 litra ujë
Sigurohuni që lëkura e dardhës është e larë dhe e pastruar mirë. Vendosini në një enë qelqi të madhe, së bashku me masën e dardhave të shtypura, sheqerin dhe ujin.
Mbulojeni enën me një napë dhe vendoseni në një vend të freskët dhe të errët për një deri në dy javë. Më pas, kullojeni lëngun dhe vendoseni në enën e pastruar duke e mbajtur sërish në një vend të freskët dhe të errët për 1 deri në 2 muaj.
Me të kaluar muaji i parë, provojeni. Nëse lëngu është akoma i ëmbël, lëreni fermentimin të vazhdojë edhe për një muaj tjetër.
Nëse lëngu është i thartë, por akoma mban shijen e dardhës, atëherë është gati për konsum. Më poshtë do të gjeni sugjerimin e AgroWeb.org edhe për mushtin e dardhës.
Mushti i dardhës në kushtet e shtëpisë
- Përbërësit për 8 persona:
- 10 dardhë të plota, të prera në gjysmë, dhe të pastruara nga farat dhe bishtat.
- Gjysëm filxhani me sheqer kaf
- 3 shkopinj kanelle
- 2 lugë çaji me nenexhik të egër
- 1 lugë çaji me karafil
- 1 shkop vanilje të prerë për së gjati
Udhëzimet
Përzieni dardhët, sheqerin, shkopinjtë e kanellës, karafilin, shkopin e vaniljes dhe nenexhikun në një enë të mbushur me ujë.
Uji duhet të mbulojë këtë përbërës me të paktën 5 centimetra. Vendoseni enën e pambuluar në zjarr të ngadaltë dhe lëreni të ziejë për të paktën një orë.
Pas një ore shtypni dardhët tashmë të buta. Vendoseni kapakun dhe lëreni të ziejë për 2 orë të tjerë.
Më pas, hiqeni enën nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Kullojeni me napë që të largoni gjithë mbetjet e patretura dhe lëngu të jetë i pastër.
Shërbejeni me kanellë. Lëgun mund ta ruani në një enë të izoluar mirë dhe ta fusni në frigorifer./AgroWeb.org