Gjithë të Mirat e Lulerradhiqes – Si ta Përdorni për Shëndetin

4.5k 1

Lulerradhiqja është një barishte shumë popullore që del në pah në fusha, lëndina e kopshte.

Shqiptarët e duan shumë lulerradhiqen, jo vetëm për bukurinë e saj, por edhe për vlerat e shumëllojshme ushqyese dhe mjekësore.

Francezët kanë një emër mjaft interesant për lulerradhiqen.

Ata e quajnë atë “dents de lion” që përkthehet “ dhëmbët e luanit” dhe që shërben për të përshkruar më së miri karakteristikat e kësaj bime me emrin botanik “Taraxacum officinale”.

Në Shqipëri, lulerradhiqja quhet edhe luleshurdha mjekësore, prakalidhe, përkalidhe, luleradhiqe dhe radhiqe.

Cilat pjesë të lulerradhiqes janë të ngrënshme?

Lulerradhiqja si bimë mjekësore me famë ka shumë pjesë të ngrënshme dhe shumë prej tyre që përdoren në mjekësinë popullore.

Lulerradhiqja është një bimë që mund të përdoret nga rrënja deri tek lulet. Barishtja është e pasur me vitamina dhe minerale.

Lulerradhiqet e rritura mund të jenë paksa të hidhura, por ato të freskëta kanë një shije më të butë dhe më të mirë.

Gjethet e njoma kanë aftësinë të motivojnë lëngjet tretëse në organizëm. Ato përdoren në sallata për të ekuilibruar shijen e barishteve të tjera siç është sallata jeshile.

Me ardhjen e ditëve të ngrohta, gjethnaja e lulerradhiqes mund të kapërcejë disa nuanca shijesh.

Hidhësia e gjetheve mund të forcohet dhe ashpërsohet me kalimin e ditëve. Bima që rritet në hije ruan shijen e butë për më shumë kohë.

Lulerradhiqen mund ta shfrytëzoni për një periudhë të gjatë kohe nëse gatuani gjethet e saj duke i zier në ujë të valuar, një proces që largon hidhësinë e tyre.

Pasi i keni zier gjethet, mund t’i kombinoni me hithra ose lëpjeta në gatimet me brumë, vezë ose gatime perimesh në tigan.

Gonxhet e paçelura të lulerradhiqes mund të konsumohen të gjalla dhe të përfshihen në sallata.

Ato mund të bëhen turshi ose të ziehen për një ose dy minuta, duke i kavërdisur më pas me pak gjalpë, kripë dhe piper.

Gonxhet duhen mbledhur të paçelura teksa janë në nivel me tokën në mes të gjethnajës së lulerradhiqes.

Me lulerradhiqen mund të përgatisni edhe mjaltë. Në fakt nuk është ai mjalti i zakonshëm i bletëve, por një shurup krejt i ngjashëm me mjaltin që mund ta përgatisni edhe vetë në mënyrë krejt të thjeshtë.

Ky shurup me lulerradhiqe kombinohet mirë me ëmbëlsira, petulla dhe biskota. Atë mund ta përdorni në çajra dhe pije të ndryshme bimore.

Përgatitja e mjaltit

Mblidhni lulet e lulerradhiqeve dhe zhytini në ujë të ftohtë për pesë minuta, një kohë e mjaftueshme për largimin e insekteve.

Hiqni petalet duke hidhur kërcenjtë dhe pjesën qëndrore të lules. Petalet vendosini në një tenxhere të mbushur me ujë, feta limoni dhe kokrra vanilje.

Lërini të ziejnë në zjarr të ngadaltë për 30 minuta. Përziejeni lëngun vazhdimisht. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni tenxheren të ftohet për 6 orë.

Kullojeni çajin me një napë dhe hidhni mbetjet. Lëngun e pastër hidheni në një tenxhere tjetër të cilën duhet ta vendosni në një zjarr të ulët.

Shtoni mjaltë ose sheqer të errët në mënyrë graduale dhe përzijeni lëngun vazhdimisht deri sa mjalti ose sheqeri të treten.

Uleni zjarrin dhe lëreni të ziejë në tenxhere të hapur deri sa të arrijë trashësinë e dëshiruar.

Disa ekspertë të kuzhinës preferojnë të lënë gonxhet të paprekura, por ato mund ta bëjnë mjaltin më të hidhur. AgroWeb.org ju sugjeron të përdorni vetëm petalet për këtë recetë të rrallë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.