Sekretet Fantastike të Koriandrës

2.9k 0

Cilantro apo Koriandër? Janë emrat e të njëjtës barishte, apo dy llojeve të ndryshme? Të paktën në rastin e gjuhës Ruse apo asaj Angleze, të dy këto emra gjenden në receta të ndryshme dhe shpesh shkaktojnë konfuzion.

Sa për sqarim: cilantro është praktikisht pjesa e gjelbër e bimës që i ngjan majdanozit. Koriandër është emri i farave të të njejtës bimë që shpesh përdoren si një erëz aromatike në disa gatime mishi.

Shija e cilantros është unike. Disa njerëz mund ta krahasojnë me sapunin. Është mjaft interesante në fakt që ka një arsye gjenetike përse shija e cilantros nuk ju duket e kënaqshme. Mesa duket, arsyeja përse mund të mos e pëlqeni shijen e cilantros është gjenetike. Sipas shkencëtarëve, njerëzit që urrejnë cilantron kanë disa gene që janë shumë perceptuese ndaj disa kimikateve që njihen si OR6A2. Sapuni dhe cilantro kanë në përmbajtjen e tyre sasi të larta të këtyre kimikateve.

Fakte interesante për Cilantron dhe Koriandrën

1. Afrika e Veriut, Azia perëndimore dhe Evropa Jugore konsiderohen si vendlindja e cilantros. Si koriandra ashtu edhe cilantro janë përmendur në Bibël dhe në librat e lashtë të Kinës, Egjiptit, Indisë dhe Perandorisë Romake.

2. Të gjitha pjesët e bimës (rrënjët, farat dhe kërcenjtë) janë të ngrënshme. Por ju nuk duhet të përzieni pjesë të ndryshme të barishtes në recetat specifike. Në rastin kur receta e ushqimit thotë që duhet të përdorni cilantro, do të thotë që ju duhet të përdorni gjethet dhe jo farat.

3. Gjethet e cilantros kanë vlera të fuqishme dhe shërbejnë si antoksidantë. Nëse i shtoni gjethet në ushqim do të parandaloni prishjen e tij.

4. Ju mund të rrisni cilantro të freskët nga farat e koriandrës në shtëpinë tuaj. Dheu për mbjellje duhet të jetë i mirë, mos e ujisni shumë dhe vendoseni në ekspozim të plotë me dritën e diellit.

5. Të gjitha pjesët e bimës janë të famshme në Amerikën Latine, Meksikë, Azi dhe Indi. Në Rusi, mund të gjeni një bukë speciale me fara koriandër që njihet ndryshe si buka Borodinsky (emrin e ka marrë pas Betejës së Borodinos në vitin 1812, gjatë së cilës ushtria ruse u mund nga Napolon Bonaparti. Megjithatë francezët ishin aq të lodhur sa edhe pse fituan një betejë humbën luftën). Ngjyra e kësaj buke është e errët dhe farat e koriandrës i ngjajnë plumbave të një artilerie.

Cilantro është praktikisht pjesa e gjelbër e bimës që i ngjan majdanozit. Koriandër është emri i farave të të njejtës bimë që shpesh përdoren si një erëz aromatike në disa gatime mishi. Foto: WebLibrary

Vlerat shëndetësore

1. Ul kolesterolin e keq

Barishtja përmban sasi të mëdha antioksidantësh, vitaminash dhe vajrash esencialë që ndihmojnë në ruajtjen e një ekuilibri të shëndetshëm të kolesterolit dhe ulin kolesterolin e keq.

2. Është burim i mirë mineralesh për sistemin kardiovaskular

Cilantro përmban sasi të mira të kaliumit, magnezit, kalciumit, manganit dhe hekurit, që janë thelbësorë për funksionimin e sistemit kardiovaskular.

3. I mban kockat të shëndetshme

Cilantro është një nga barishtet më të pasura me vitaminë K, e cila është e rëndësishme për rolin e saj tek kockat dhe gjymtyrët.

4. Është e pasur me antioksidantë që mbajnë lëkurën dhe sytë të shëndetshëm

Cilantro përmban vitaminë C dhe vitaminë A, të cilat shërbejnë si antokisdantë dhe mbajnë lëkurën dhe shikimin të shëndetshëm.

5. Largon metalet e rënda nga trupi

Një nga vlerat më unike të cilandros është aftësia për të larguar metalet e rënda nga trupi siç janë: arseniku, kadmiumi, alumini, plumbi dhe mërkuri të cilët mund të akumulohen në organizëm dhe të shkaktojnë një sërë sëmundjesh, duke nisur nga sëmundjet e zemrës, çrregullimet hormonale apo sëmundjet neurologjike. Cilantro i lidh së bashku metalet toksike dhe përshpejton largimin e tyre nga organizmi.

6. Ul ankthin dhe përmirëson gjumin

Cilantro qetëson nervat dhe ka një efekt të jashtëzakonshëm për një gjumë sa më të natyrshëm dhe për uljen e ankthit.

7. Ul nivelet e sheqerit në gjak

Nëse shtoni cilantro dhe koriandër në dietën tuaj do të arrini të mbani mëlçinë të shëndetshme, dhe të ekuilibroni nivelin e sheqernave në gjak. Të dyja rekomandohen për ata që vuajnë nga diabeti dhe mund të përzihen me sallata, lëngje apo salca.

8. Parandalon infeksionet urinare

Cilantro përmban disa substance antibakteriale që e mbajnë sistemin urinar të shëndetshëm. Koriandra nga ana tjetër është e dobishme në zbutjen e simptomave të infeksioneve urinare. Hidhni një lugë e gjysmë me fara koriandër në një enë të mbushur me dy gota ujë. Lëreni të qëndrojë gjithë natën dhe lëngun pijeni në mëngjes.

9. Ju mbron prej helmimeve nga ushqimi

Cilantro ndihmon trupin të mbrohet nga infeksionet dhe toksinat. Konsumimi i rregullt i saj mbron trupin nga salmonela, helmimi nga ushqimi, dizanteria, etj. Kjo është një prej arsyejeve përse kjo barishte është kaq popullore në vendet e Amerikës Latine ose Indi, ku mungesa e higjenës shkakton sëmundje të tilla.

Mos hezitoni ta përfshini cilantron në dietën tuaj, dhe trupi do t’ua dijë për nder. Herën tjetër kur të gatuani fileto pule, marinojeni me lëng limoni, cilantro, hudhër, mjaltë, vaj ulliri, kripë dhe piper. Lëreni fileton të qëndrojë në këtë lëng për 30 minuta dhe më pas gatuajeni në tigan. Ju bëftë mirë! /AgroWeb.org

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.