Duke u rritur si shqiptare, jam shumë e ndërgjegjshme për perceptimin e përgjithshëm në familjet tona, sidomos vërtetuar nga gjyshet, që të ngrënit e mishit është një luks i shëndetshëm që të bën të fortë. Gjithashtu kam prirjen të kuptoj që mishi i gjendshëm në Shqipëri, mund të jetë tejet i shijshëm dhe i gatuar deri në përsosmëri, duke u bërë shumë i vështirë për t’i rezistuar.
Personalisht, jam përpjekur të bëhem tërësisht vegjetariane dhe njëherë arrita të rezistoja për 2 muaj, mirëpo ndërsa udhëtoja në Shqipëri dhe Itali, mishi më joshi sërish. Tani, thjesht përpiqem të konsumoj mish në mënyrë të balancuar, rreth një herë në javë. Kështu që nuk sugjeroj eleminimin e mishit nga ushqimi, meqë kjo do të ishte një ndryshim drastik në familjet shqiptare, por inkurajoj vlerësimin e alternativës së të pakësuarit të mishit. Unë po sugjeroj një alternativë e cila në të njëjtën kohë, përmirëson shëndetin dhe mjedisin.
Konsumi shqiptar i mishit është rritur nga 15.3 kg për person në vitin 1963, në 38.2 kg për person në vitin 2002. Kjo nuk ndodh vetë në Shqipëri! Në vitin 2002 Danimarka arriti në nivelin e konsumit të 145.9 kg mish për person. Kjo rritje botërore në konsumin e mishit ka pasur efekte jashtëzakonisht të dëmshme mjedisore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se industria e mishit nxjerr në ajrin që thithim, afërsisht një të pestën e dioksidit të karbonit që prodhohet nga aktiviteti i njeriut në tërësi. Kjo sasi, që në fakt përshpejton ndryshimin e klimës në botë, është më e madhe edhe sesa dioksidi i karbonit që lëshon në ajër industria e transportit. Përpjekja për të hapur më tepër kullota për bagëtitë, ka shpyllëzuar zona të tëra të Amazonës, gjë e cila ka sjellë nga ana tjetër një rritje me 17% të sasisë së dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës.
Megjithatë, pavarësisht sa tronditëse janë këto të dhëna, ato duken larg jetëve tona të përditshme. Kështu që nuk na mbetet veçse të “nxjerrim asin nën mëngë” e të tregojmë përfitimet e shëndetit tonë prej të ngrënit më pak mish. Studimet kanë treguar se reduktimi i mishit në dietën tonë sjell zvogëlimin e rrezikut të kancerit duke qenë se mishi i kuq i përpunuar lidhet drejt për së drejti me kancerin e zorrëve. Në përforcim të kësaj, dieta e pasur me zarzavate redukton sëmundjet e zemrës, lufton diabetin dhe frenon mbipeshën. Miti i përhapur është se ne kemi nevojë për mish sa herë që ulemi në tavolinën e ngrënies sepse ‘mish’ do të thotë energji dhe proteina. Por të rriturit në përgjithësi, kanë nevojë që vetëm 10% deri në 35% e kalorive të tyre ditore të vijnë nga proteinat dhe kjo përkthehet vetëm në 50 gramë. Për këtë sasi prej 50 gramësh proteina, ka shumë burime të tjera ku ne mund të gjejmë proteinat e nevojshme, duke ulur dalëngadalë varësinë ndaj mishit.
Burime alternative proteinash:
- Thjerrëzat. Thjerrëzat janë shumë të pëlqyera dhe të përhapura në Shqipëri. Ato kanë 9 gram proteina për filxhan të mbushur me thierrëza si dhe 15 gram fibra. Kjo vlen për shumicën e fasuleve, si fasulet e zeza, fasulet e zakonshme. Imagjinoni atmosferën e groshëve në tavolinën e një mbrëmjeje me shi.
- Bizelet e gjelbërta. Një filxhan me bizele përmban 8 gram proteina si dhe aminoacide themelore që janë kyçe për metabolizmin e qëndrueshëm dhe humbjen e peshës.
- Spinaqi. Spianqi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Konsumojeni sa më tepër. Spinaqi përmban 5 gram proteina për çdo tas. Është i pasur me hekur dhe futet në shumë gatime bashkë me ushqimet e tjera.
- Arrorët dhe gjalpi i tyre. Arrorët përmbajnë proteina dhe yndurna të shëndetshme, duke i bërë ato pjesë të vlefshme të një diete me bazë bimore. Të preferuarat e mia janë bajamet e fistikët.
- Kosi. Një burim i neglizhuar proteinash është edhe kosi, me 13 gr protein për filxhan. Kosi është tashmë shumë i përdorshëm në kuzhinën shqiptare, kështu që vlerësojeni përmbajtjen e tij të lartë proteinike.
- Quinoa që në shqip njihet si kinoa. Tendenca e saj nisi pak vite më parë, por për arsye shumë të shëndetshme. Ajo është teknikisht një farë dhe përmban më tepër se 8 gr protein për filxhan duke përfshirë edhe 9 aminoacide themelore që trupi ka nevojë për rritje dhe ndreqje por që nuk i prodhon dot vetë. Është shumë e përhapur dhe gjendet edhe në ushqimoret shqiptare.
Kështu që inkurajoni familjen dhe miqtë tuaj që të përpiqen të përfshijnë këto produkte tërësisht të gjendshme dhe të përballueshme ekonomikisht në gatime. Fillo me hapa të vegjël, ngadalë, duke provuar një ditë në javë të mos gatuash mish. Në botë, një ditë të tillë quhet “E hëna pa mish”. Sa mirë sikur të funksiononte edhe në Shqipëri.
*Lora Remacka është një profesioniste e re, me eksperiencë akademike dhe profesionale ndërkombëtare, e interesuar në mënyrë të veçantë në çështjet e mjedisit. Studimet e saj janë fokusuar në Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ndërsa eksperiencën profesionale e ka ndërtuar në agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara dhe qeveritare. Lora ka lindur në Tiranë dhe është zhvendosur në Kanada në një moshë shumë të vogël. Që prej asaj kohe ajo ka jetuar, studiuar dhe punuar në Toronto, Singapor, Shqipëri dhe Suedi.