Certifikata e Cilësisë – Kriteret që Duhet të Plotësojnë Bizneset Ushqimore

271 0

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka përcaktuar formatin dhe kriteret që duhet të plotësojnë bizneset e industrisë ushqimore, për tu pajisur me  certifikatën e cilësisë, për produktet bujqësore ose ushqimore me specifikimet teknike të produkteve të regjistruara si specialitet tradicional i garantuar (STG), tregues gjeografik i mbrojtur (TGJM) dhe emërtim origjine i mbrojtur (EOM).

Sipas vendimit të MBZHR-së, në certifikatën e cilësisë, vendoset emri dhe mbiemri i operatorit të prodhimit;

adresa e operatorit të prodhimit; emri i produktit bujqësor ose ushqimor; kategoria e produktit bujqësor ose ushqimor, e cila duhet të jetë e njëjtë me të dhënat e deklaruara nga aplikanti në formatin e aplikimit të produktit bujqësor ose ushqimor;

ndërsa sasia e prodhimit e deklaruar nga operatori ushqimor gjatë periudhës së vlefshmërisë së certifikatës do të jetë sasia e prodhimit që operatori ka gjendje për treg, në momentin e kryerjes së kontrollit zyrtar.

Certifikata është e vlefshme për një vit, bazuar në kontrollet zyrtare sipas analizës së riskut. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit./ATSH