Mënyra të Reja për Zbutjen e Pasojave të Pandemisë tek Trashëgimia Kulturore

667 0

Pandemia e koronavirusit ka bllokuar vizitat në shumë objekte të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe ka pezulluar gërmimet arkeologjike. Ekspertë të trashëgimisë kulturore nga disa vende po diskutojnë në Gjirokastër mundësitë e vizitave virtuale në vendet muzeale dhe zbutjen e pasojave për komunitetet e banorëve që jetojnë me të ardhurat nga turizmi.

Askush më parë nuk e kishte menduar se vendet e e trashëgimisë kulturore do të prekeshin nga dizifektimet masive të mjediseve dhe qendrat historike dhe muzeale do të përjetonin një boshatisje nga vizitorët.

Pandemia e kornavirusit, nga fillimi i marsit, ka sjellë pasoja për trashëgiminë kulturore në Shqipëri duke ulur ndjeshëm vizitueshmërinë, por edhe duke pezulluar gërmimet arkeologjike për shkak të vështirësive të lëvizjes së misioneve ndërkombëtare.

Por një grup ekspertësh të trashëgimisë kullurore nga Shqipëria, Rumania, Ukraina dhe Spanja kanë sfiduar vështirësitë e komunikimit dhe janë mbledhur në Gjirokastër për të parë rrugët për të zbutur pasojat e pandemisë. Diskutimet e ekspertëve të trashëgimisë kulturore mbështeten nga programi “Europa Krijuese”.

Virtualizimi i Trashëgimisë Kulturore

Është një nismë e dobishme, thotë Edvin Lamçe, i Fondacionit “Gjirokastra” . Sipas tij një nga diskutimet më të rëndësishme, mes ekspertëve, është se si mund të sigurohet virtualizimi i trashëgimisë kulturore, nëse ajo nuk preket në mënyrë direkte nga vizitorët.

“Duhet të gjejmë balancat se sa larg mund të shkojmë me virtualizimin apo dixhitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore. Në fakt ne synojmë që ajo të shohet në mënyrë direkte por zgjidhjet duhet vijnë dhe nga aspekti virtual, për shkak të pandemisë”.

Ndërsa Kreshnik Merxhani,një tjetër ekspert thotë se pandemia ka sjellë pasoja për trashëgiminë kulturore duke rënduar edhe dëmtimet e sjella në monumente nga tërmeti që preku Shqipërinë qëndrore.

“Shqipërisë pandemia i erdhi edhe pas një tërmeti, i cili në zonën qëndrore dëmtoi shumë monumente. U bë një ngritje fondi për ndërhyrje në këtë situatë pas tërmeti dhe menjeherë pandemia ndikoi në këta mekanizma financiarë.”

Zoti Merxhani thotë se duhen marrë masat qoftë për turet virtuale por edhe për lehtësimin e informacionit për turistët.

Pandemia dhe Kohëzgjatja

“Pandemia tashmë ka dhe të panjohurën që është një rrezik më vetë, kohëzgjatjen, formën ,mënyrën se si autorietet do të sillen. Turet virtuale jo gjithmonë funksionojnë ,shtresat e popullsisë nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë internetin, duhen punë përgatitore për dixhitalizimin e monumenteve.”

Ndërsa Zoti Lamçe, thotë se sfida e qasjes në trashëgimi lidhet drejtpërdrejtë me turizmin.

“Rrugët ndihmëse duhen gjetur, thotë ai, si nga pushteti qëndror dhe ai vendor për zbutjen e pasojave mbi trashëgiminë. Komunitetet e banorëve që janë përfitues si në qendrat historike , por edhe afër siteve arkeolgojike dhe kulturore janë ne vështirësi”, thotë zoti Lamçe.

Sfida më e madhe në trashëgimi është qasja që lidhet pashmangshmërisht me turizmin. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare nga fillimi i pandemisë sitet e trashëgsimisë kulturore në Shqipëri ulën gati 90% vizitueshmërinë e tyre nga turistët. Rënia e të ardhurave pritet të sjellë pasoja për financimet e nevojshme për mirëmbajtjen e monumenteve dhe shërbimet ndaj vizitorëve./VOA