Fryma e Vjosës / Zbulo historitë e njerëzve dhe të rejat nga Parku Kombëtar Lumi Vjosa

504 0

Një copëz nga historitë e komuniteteve në Vjosë pasqyrohet në Piramidën e Tiranës më datë 6 Nëntor nëpërmjet lentes së fotografes, Jutta Benzenbeg. Ky aktivitet do të ekspozohet në hollin e Piramidës deri në datën 12 Nëntor. 

Më 13 Mars 2023, lugina e lumit Vjosa në Shqipëri u shpall Park Kombëtar, si lumi i fundit i egër në Evropë. Historia e Vjosës është e pasur me biodiversitet dhe trashëgimi kulturore, por përfaqëson në të njëjtën kohë edhe historinë e komuniteteve lokale që e konsiderojnë lumin si shtëpinë e tyre. 

Breza të tërë familjesh kanë jetuar përgjatë brigjeve të lumit dhe janë bekuar me dhuratat e Vjosës, qoftë duke mbledhur barishtet e vyera, duke kultivuar token, duke mësuar madje dhe të notojnë. Tashmë, duke jetuar në këto zona rurale, ata po përballen gjithashtu me sfidat e jetës dhe me një të ardhme shpesh të pasigurt. Historitë e tyre na përshfaqin të vërtetën se pse ky lum është kaq i veçantë dhe se pse Parku Kombëtar i këtij siti është aq i domosdoshëm për përditshmërinë e tyre.  

Jutta Benzenberg, fotografe e cila jeton dhe punon në Shqipëri, udhëtoi për të takuar komunitetet e Vjosës dhe për të ndarë historitë e tyre me botën, përmes vetë fjalëve të tyre.   

“Janë 8 histori për të cilat uroj që të pasohen me rrëfenja të tjera, ku mund të përcjellim idenë sesa i madh është interesi i shqiptarëve që të jenë pjesë aktive e ruajtjes së natyrës. Vizitojini këta njerëz dhe dëgjoni me kureshti se çfarë kanë për të thënë.”- shprehet fotografja. 

Në muajin Shtator është miratuar ‘Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa’, doumenti bazë që përcakton ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj zone të mbrojtur. Ky është rezultati i një pune intensive ndërmjet ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, duke përfshirë diskutime, trajnime, analiza dhe konsultime publike të njëpasnjëshme.  

Ndërkohë është realizuar aplikimi për përfshirjen e Parkut Kombëtar ‘Lumi Vjosa’ në UNESCO, programi ‘Njeriu dhe Biosfera’. Me fokusin te bashkëjetesa e njeriut me natyrën, ky program synon të përmirësojë jetesën e komuniteteve dhe mbrojtjen e ekosistemeve natyrore në mënyrë të qëndrueshme.  

Rrugëtimi për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar i cili nisi falë bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, kompaninë Patagonia, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) si dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura po vijon me projekte të tjera ambicioze që promovojnë dhe mbështesin vlerat e lumit të fundit, të egër në Evropë. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.