Lumi i fundit i egër në Europë, Kumbaro-Gellert: Nis puna teknike për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar

328 0

Deklaratë e Përbashkët e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Drejtorit Ekzekutiv të Patagonia-s, Ryan Gellert

100 ditë nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për shpalljen e Lumit të Egër Vjosa, Park Kombëtar

100 DITË BASHKËPUNIM DREJT VIZIONIT PËR PARKUN KOMBËTAR TË LUMIT TË EGËR VJOSA

100 ditë më parë, së bashku ne ndërmorëm një zotim për natyrën. Si drejtues të dy institucioneve të ndryshme, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri dhe shoqërisë amerikane Patagonia – por njëkohësisht edhe si dy njerëz që ndajnë pasionin për natyrën, në praninë e zyrtarëve të Qeverisë, përfaqësuesve të organizatave jo qeveritare, gazetarëve lokalë dhe ndërkombëtarë, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ne nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi duke deklaruar përkushtimin që të punojmë së bashku për shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Ditën e nënshkrimit të Memorandumit ne ishim të vetëdijshëm për punën komplekse që na priste. Si hap të menjëhershëm pas ceremonisë organizuam takimin prezantues me ekipin tonë – eskpertët përgjegjës për marrjen e çdo veprimi për mbrojtjen e përhershme të Vjosës dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, në nivelin e Kategorisë II të IUCN.

Ekipi përbëhet nga mbi 30 ekspertë, nga Shqipëria dhe e gjithë bota, të specializuar në fusha të ndryshme si eko-turizmi, grupe interesi, planifikimi dhe menaxhimi i parkut, financimi i qëndrueshëm, legjislacioni mjedisor , komunikimi dhe promovimi, si dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis, të udhëhequr nga koordinatorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Si grup pune, jemi në një mendje se sa e jashtëzakonshme është Vjosa dhe degët e saj, ndërkohë që vlerësojmë rrezikun nën të cilin mund të gjendet ky ekosistem i brishtë dhe unik.

Bashkëpunimi i vërtetë dhe rigoroz midis palëve është i rrallë, veçanërisht në këtë nivel. Megjithatë, synimi ynë është që Parku Kombëtar i Lumit Vjosa të kriojë një model për nisma të tjera të ruajtjes dhe restaurimit, për të mbrojtur zona të rëndësishme të natyrës në mbarë botën, në një përfshirje të gjerë të qeverisë, shoqërisë civile dhe kompanive private. Patagonia ka një histori të veçantë në mbështetje të komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile. Dhe kur këto vlera kombinohen me njohuritë e thelluara, pasionin dhe ekspertizën e Ministrisë ashtu si edhe të rrjetit të OJQ-ve, ndryshimi bëhet i mundur.

Në 100 ditët e para të projektit, në partneritet me Patagonian, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe një rrjet OJQ-sh, grupi i punës ka ndërmarrë hapa të qarta për të arritur objektivin e përbashkët për:

• Përcaktimin e kufijve dhe zonave të parkut të ardhshëm kombëtar;
• Zhvillimin e një koncepti për strukturën e menaxhimit të parkut kombëtar në vitin e parë, duke llogaritur burimet njerëzore, si dhe materialet e nevojshme për menaxhimin e parkut kombëtar;
• Krijimin e një koncepti për eko-turizmin brenda pellgut ujëmbledhës të Vjosës;
• Ndërtimin e opsioneve për financimin e qëndrueshëm të funksionimit dhe menaxhimit të parkut kombëtar;
• Mbështetjen e procesit nëpërmjet angazhimit të palëve të interesit dhe përpjekjet për të siguruar që në çdo fazë të tij, projekti të jetë transparent për publikun.

Çfarë kemi përpara? Në ditët në vijim, ekipi i ekspertëve do të ndërmarrë një udhëtim studimor të përbashkët, përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij. Përmes një programi pesë-ditor, do të shqyrtohen të gjithë komponentët kryesorë të sistemit lumor – duke përfshirë degët, zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës. Ekspertët do të diskutojnë metodat e zhvillimit të eko-turizmit dhe çdo ditë do të takojnë palët e interesuara – komunitetet lokale, qeverisjen vendore, grupet e interesit dhe OJQ-të duke zhvilluar seanca diskutimesh ndërsa do të qëndrojnë në hotele dhe bujtina brenda kufijve të propozuar të parkut kombëtar.

Menjëherë pas udhëtimit, do të nisë përgatitja e një masterplani të detajuar dhe më pas shpallja e parkut kombëtar nëpërmjet një procesi me faza, duke rritur në vazhdimësi numrin e degëve të Vjosës të përfshira – derisa të përfshihen të gjithë degët e saj me rrjedhje të lirë – dhe duke zgjeruar fushëveprimin e mbrojtjes ku do të përfshihet jo vetëm territori në pronësi publike, por edhe jopublike. Qëllimi ynë është që të përfundojmë punën e dokumentimit deri në fund të vitit 2022, dhe menjëherë më pas të vijojmë me shpalljen zyrtare të fazës së parë të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në partneritet me komunitetet lokale e qeverisjen vendore.

Ndërsa shikojmë detyrat që kemi përpara, sot pas 100 ditësh ne e dimë se puna për këtë projekt të jashtëzakonshëm, që të jetë transformuese kërkon kohë – nuk ka rrugë të shkurtra për mbrojtjen e plotë të ekosistemit natyror. Por, frymëzimi që marrim nga komunitetet që e quajnë “shtëpi” këtë sistem unik lumor, na jep energji dhe fokus për punën rigoroze që kemi përpara. Presim me padurim ditën më të afërt, kur të mund të qëndrojmë sërish bashkë, buzë Vjosës, duke ditur se ajo është e mbrojtur përgjithmonë.