Plane konkrete informuese dhe aktivitete ndërgjegjësuese po krijojnë një kulturë të re bashkëjetese me mjedisin. Dhe zgjidhja më e mirë që i shërben të ardhmes së afërt dhe asaj afatgjatë vjen gjithmonë përmes sistemit edukues.
Prej dy javësh, Shqipëria i është bashkuar ligjërisht nismës globale të shmangies së përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshme – me këtë rast edhe kujdesit për më pak përdorim të plastikës. Në shumë vende europiane e më gjerë vala e ndërgjegjësimit për ndotjen plastike ka bërë që shumë shkolla të vërejnë se sa mbetje plastike krijojnë, duke vënë në dyshim nëse kjo është një trashëgimi e duhur për t’ua kaluar nxënësve, brezit të ardhshëm.
Si shembull perfekt – një shkollë në Kanada (Seaview Elementary School) e ndjekur nga shumë shkolla të tjera fitoi çmimin “Sfida e Mbledhjes së Qeseve Plastike” ku nxënësit mësuan rreth dëmeve nga ndotja plastike dhe forcuan ndërgjegjësimin për shmangien e përdorimit të saj duke u përfshirë në aktivitete të ndryshme ndihmuese.
Edhe Shqipëria dhe sistemi i saj arsimor mund të frymëzojë nxënësit të bëjnë më shumë duke ndjekur disa prej metodave pozitive të shkollave të ndryshme në botë.
Shfaqja e filmave edukativ ose bisedat në shkolla
Mund të organizoni shfaqjen e filmave apo dokumentarëve, ose të bisedoni në periudha të ndryshme të ditës, ose në disa data, për t’u dhënë njerëzve më shumë mundësi për të marrë pjesë. Të kesh dikë që është i apasionuar pas problemit (në mënyrë ideale një student, ose një grup studentësh) në dispozicion të pyetjeve në fund të aktivitetit e bën aktivitetin më ndërveprues.
Organizoni pastrimin e shkollës, parkut, lumit dhe plazhit
Organizimi i ngjarjeve të tilla si, aksionet e pastrimit të herë pas hershme – në ambientet e shkollës suaj, ose në një park, lumë ose plazh – është një ushtrim i shkëlqyer i bashkëveprimit me klasat, shkollën ose të gjithë komunitetin tuaj.
Inkurajoni shishet plastike të ripërdorshme
Si shkollë, ju keni mundësinë të mbani një qëndrim të guximshëm thjesht duke shmangur edhe përdorimin e shisheve plastike duke inkurajuar shishet e ripërdorshme prej qelqi.
Zgjidhni pajisje të ripërdorshme në mensë dhe shkollë
Reduktimi i plastikës në mensë mund të jetë po aq i thjeshtë sa kthimi në sistemin që ndoshta e kishit 10-20 vjet më parë, ku pjata, tabaka dhe gota të ripërdorshme laheshin dhe ripërdoreshin herë pas here.
Kërkoni që dërgesat e furnitorëve të jenë pa plastikë
Një nga burimet më të mëdha të mbetjeve plastike në shkolla vjen nga dërgesat e furnitorëve. Hapi i parë, në rastin e shkollave që e qasin këtë shërbim është ta diskutoni atë me furnitorët tuaj dhe t’u kërkoni atyre që të dorëzojnë porositë pa plastikë kudo që të jetë e mundur.
Ndani sukseset tuaja, për të frymëzuar edhe shkollat e tjera
Promovimi i aktiviteteve informuese dhe atyre të kujdesit ndaj shmangies së plastikës është mënyra më e mirë për të sensibilizuar edhe shkolla të tjera dhe nxënës që të bashkohen – për të menduar dhe vepruar në mënyrë krijuese në përqafimin e zgjidhjeve që garantojnë një ambient të shëndetshëm për të gjithë – më të gjelbër për të ardhmen e afërt dhe atë afatgjatë!
*Samel Kruja, eksperte për çështjet e mjedisit. Ky artikull i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit mbi shmangien e përdorimit të qeseve plastike, mbështetur nga UNICEF dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.