Si të Mbillni Shegën Krejt Lehtë në Ballkon dhe Shtëpi

2.6k 0

Shegët janë një frut me një paraqitje shumë të hijshme dhe pemët shtatshkurtra të tyre mund të transformohen në një dekor mjaft të këndshëm për shtëpinë tuaj.

Pema e shegës mund të arrijë në një lartësi deri në 90 centimetra ndërkohë që gjethnaja e saj arrin të marrë edhe një formë rrethore të bukur.

Shegët mund t’i mbillni krejt lehtë me fidanë të cilët në Tiranë i gjeni në Pazarin e Ri, por ato gjenden në çdo pikë shitjeje fidanësh.

Por shegët mund të mbillen edhe nga farat. AgroWeb.org do t’ju shpjegojë si të rrisni shegët në shtëpi.

Lulet me ngjyrë të errët të kuqe dhe frutat të cilat mund të shijohen pas pjekjes, mund të përdoren për çelje të reja.

Farat e shegëve kërkojnë ngrohtësi dhe falë tyre do të keni një pemë të re në pothuajse një vit.

Megjithatë, farat kanë nevojë për shumë dritë që të lëshojnë filiza dhe nuk duhen mbuluar gjatë mbjelljes.

Si të mbillni shegët nga farat

Merrni një shegë të pjekur mirë, qërojeni lëkurën me një thikë dhe çajeni frutin në dysh. Nxirrini farat, pra kokrrat prej saj.

Vendosini në një enë dhe hiqeni lëkurën e bardhë mbështjellëse. Shpëlajini dhe më pas vendosini në një letër kuzhine që të thahen. Ndërkohë ju përgatisni saksinë ku do të mbillen.

Mbushini saksitë me dheun, por lini një hapësirë prej 2 centimetrash lart pa mbushur.

Vendosni nga një farë në saksi dhe shtypeni lehtë në sipërfaqe, por mos e mbuloni shumë me dheun e vazos.

Mbuloni secilën prej farave me një qese të vogël plastike, për të krijuar idenë e serës, dhe vendoseni saksinë pranë një dritare të madhe ku hyn dielli. Në të kundërt mund të përdorni llambushkat ndriçuese florishente që të garantoni ndriçimin e duhur.

Farat duhen ujitur në momentin kur dheu është tharë. Përdorni një shishe spërkatëse për të ujitur farat e mbrojtura nga mbështjellja me qese.

Filizat priten të dalin nga një deri në tre javë pas mbjelljes dhe nuk duhen prekur derisa të kenë arritur lartësinë e duhur deri në qesen plastike.

Faza e dytë

Filizat duhen zhvendosur në vazo balte të mbushur në fund me rërë me guralecë. Agroweb.org këshillon që, nëse nuk ju gjenden këto produkte mund të përdorni edhe dhe të gatshëm për mbjellje të pasuruar me gëlqere.

Vazot e reja duhen vendosur në një dritare me drejtim nga perëndimi ose jugu për të paktën 6 orë që të marrin mjaftueshëm dritë dielli.

Vazot duhen rrotulluar çdo javë që ekspozimi në diell të jetë i njëtrajtshëm.

Në momentin që sipërfaqja e vazos të jetë tharë, atëherë duhet ta ujisni në sasi të kufizuara. Doza e ujit duhet rritur kur filizat të jenë rritur, por duhet pastruar pjesa mbajtëse e vazos nga uji i rrjedhur prej saj.

Dheu i vazos duhet pasuruar me ushqyes rregullisht çdo muaj nga pranvera deri në fund të verës. Përdorni fertilizues të bollshëm dhe më pas ujiteni vazon që të përshpejtoni shpërndarjen e tij në të gjithë vazon.

Në fillim të pranverës, krasiteni pemën e re që të krijoni një formë më kompakte të saj. Hiqni jo më shumë se një të tretën e gjethnajës së rritur duke krasitur majat e degëve.

Këshillë

Shega e rritur në shtëpi duhet mbrojtur nga nivelet e ulëta të lagështisë në ambientet e brendshme, duke i spërkatur me ujë nëpërmjet një shisheje spërkatëse./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.