MiniPemët, Fruta të Freskëta nga Ballkoni Juaj

2.6k 0

Mbaj mend si sot, ditën kur pas më shumë se 10 vitesh përpjekje, babit iu mbush mendja që shtëpinë private t’ia jepnin një firme për të ndërtuar pallat.

Isha lindur e rritur në atë shtëpi. Kisha hapësira pafund për të luajtur dhe e preferuara ime ishte të rrija në majë të hurmave e kumbullës, ndërsa poshtë më prisnin shoqet me duar hapur gati për të pritur frutat.

Edhe pse e doja atë shtëpi, u gëzova pa masë për vendimin e babit. Të gjithë do kishim nga një apartament që, për mua në ato kohë do të thoshte më pak punë dhe mund se ç’donte shtëpia private.

Sot, 6 vjet më pas, më mungon toka, hapësira e jashtme, ndjehem e mbytur, e mbase kjo është arsyeja që ballkonin po e shfrytëzoj për të mbjellë perime dhe jo lule.

Urbanizim. Këtë po përjeton qyteti im, Tirana dhe këtë po shkruaj për AgroWeb.org.

Të gjithë ne duam të marrim një kumbull të freskët nga pema dhe kjo tashmë është tërësisht e realizueshme edhe për hapësirat në pallate.

Shkenca ka evoluar dhe hibride frutash të ndryshme janë krijuar për t’u rritur nëpër vazo, që ndryshe mund të quhen frutat urbane. Ato kanë shije dhe aromë ashtu sikurse një pemë e rritur në tokë.

Llojet e minipemëve

Në treg mund të gjenden një sërë varietete minipemësh, duke e nisur që nga molla, dardha, qershia e deri te agrumet.

Qershia në miniaturë “Cherry Sylvia” është një pemë që s’duhet të mungojë nëpër ballkone apo veranda.

Kumbulla vardare apo “Black Amber”, është një tjetër varietet që rritet perfekt në vazo të mëdha. Ajo ka aromë dhe shije të ëmbël si varieteti i tokës.

Dardha “Doyenne du Comice” është një nga frutat më të shijshëm dhe aromatike në treg ndërsa për mollën ka disa varietete që rriten në vazo.

Molla “Gala” dhe “Golden” janë dy prej tyre e që të gjitha këto minipemë janë shumë të favorizuara të rriten në Shqipëri pasi koha është perfekte.

Si mund t’i mbjellim këto minipemë

Këto minipemë duan vazo të mëdha me diametër 50-70 centimetra. Ato rriten vertikalisht e shkojnë të gjata deri në një metër. Këto fruta të bukura nuk duan kujdes të tepruar.

Duan diell, të ujiten rregullisht nga pak, çka do të thotë që dheu në vazo të mos jetë as i thatë fare por as i tejngopur me ujë.

Duan pleh të mirë organik pasi ka nevojë për ushqim dhe përkujdesje për të hequr degët e thara dhe ato të dobëta për t’i dhënë fuqi degëve të shëndetshme.

Me pak fjalë në këtë lajm të AgroWeb.org, dedikim vetëm 2 minuta në ditë. Prodhimtaria e minipemëve është e përvitshme dhe një rrënjë e tillë mund të jetojë deri 20 vjet duke dhënë fruta.

Ata që janë më qeflinj për bujqësinë urbane, duhet të marrin dy-tre varietete të së njëjtës pemë frutore e mund të bëjnë vetë shartimin e tyre.

Në Shqipëri ka mjaft pika tregëtimi, ku përveç fidanëve normalë shiten dhe minipemë. Limonët dhe mandarinat mini kushtojnë 3 mijë deri 5 mijë lekë, ndërsa mund të porosisni tek tregtarët e luleve, pemët e frutave në vazo, që janë lehtësisht të gjendshme.

Nëse jeni të interesuar për t’u marrë me këtë aktivitet, atëherë duhet t’i kërkoni këto minipemë në fidanishtet, pemishtet dhe pikat e tregtimit të luleve me shumicë pranë qendrave tuaja të banimit./AgroWeb.org

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org