Perimet E Shëndetit – Si Të Mbillni Karrota Në Vazo

2.8k 2

Karrotat janë ndër perimet më të shëndetshme e të shijshme, me të cilat mund të kombinosh një larmishmëri recetash, nga supat e gjellët tek kekët e ëmbëlsirat.

Por teksa mundoheni të zgjidhni më të freskëtat në treg përse të mos i mbillni vet në shtëpinë tuaj.

Rritja e karrotave në vazo është një projekt interesant që duhet ta ndermerrni në vjeshtë ose në pranverë dhe shpërblimi do të jetë i rëndësishëm.

Karrotat janë perime tekanjoze që kërkojnë kushte të përzgjedhura për rritjen e tyre, por sapo t’ia merrni dorën, karrotat do të jenë më të preferuarat mes perimeve të tjera në ballkon.

Si Të Rrisni Karrotat Në Vazo

Së pari duhet të kujdeseni që do të përdorni përzierje organike dhe tokë të lehtë e të shkrifët e të kulluar mirë.

Vazot duhet të kenë vrima në mënyrë që të sigurohet qarkullimi i ajrit dhe rrjedhja e ujit.

Karrotat kërkojnë lagështi të  vazhdueshme por jo të tepruar.

Nëse karrotat do t’i mbillni në kopësht atëherë temperatura e tokës duhet të jetë 7 gradë C.

Nëse do t’i mbillni në vazo atëherë duhet të nxitoni përpara se temperatura të arrijë 21 gradë.

Gjatë verës, karrotat kanë nevojë për pak hije dhe temperaturë 10-15 gradë më të ulët se zonat në diell.

Dheu i përdorur nuk duhet të përmbajë shumë nitrogjen. Sepse ky i fundit ndihmon në rritjen e gjethnajës por jo të zhardhnokut.

Mbushini vazot me përzierje organike dhe më pas hidhni farat e karrotës.

Mbulojini me një shtresë tjetër dheu dhe ujitini.

Kur çelin filizat është e rëndësishme që vazon ta ujisni një herë në tre ditë në varësi të kushteve të motit.

Pasi të jetë formuar gjethnaja dhe zhardhoku të ketë dalë në sipërfaqe është e rëndësishme që gjethet t’i krasisni dhe t’i holloni.

Në këtë mënyrë, perimet do të kenë hapësirën e duhur për të marrë ushqyesit dhe lagështinë e nevojshme.

Çdo tre javë, karrotat duhen ushqyer me fertilizues të lëngshëm organik.

Herë pas here vazot duhen mbuluar me qese plastike për të shmangur insektet fluturuese.

Tre muaj nga mbjellja, perimet janë gati për tu shkulur.

Provojeni me një karrotë për të parë nëse është pjekur siç duhet dhe më pas veproni njësoj me të tjerat.

Në këtë mënyrë do të përfitoni një perime organike plot vlera të rëndësishme për shëndetin./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.