Si të Rrisni Rigonin në Kushtet e Shtëpisë

1.2k 0

Rigoni është një bimë që është pjesë e pandashme e shumë prej recetave shqiptare të gatimit.

Kjo bimë bujare përdoret edhe në mjekësinë popullore. Ajo rritet në kushtet e shtëpisë por edhe në natyrë.

Mjafton pak kujdes nga ana juaj dhe kohë e mjaftueshme për të pasur mundësinë që të shfrytëzoni vlerat e rigonit të mbjellë në ballkonin tuaj çdo ditë të vitit.

Si të rrisni rigonin:

Zgjidhni mes farave dhe kërcenjve

Rigoni mund të mbillet nëpërmjet farave ose kërcenjve të prerë nga bima.

Ndaj, nëse ju gjendet rigon në shtëpi, merrni një tufë dhe mos blini fara.

Kur përdorni këto të fundit, duhet të kini parasysh që të paktën ¼ e farave nuk lëshon rrënjë, ndaj duhet të tregoheni dorëlëshuar në mbjelljen e tyre.

Kërcenjtë nga ana tjetër këputen nga bimët e freskëta.

Duhet të prisni deri sa rrënjët e rigonit të jenë rritur mjaftueshëm dhe pastaj të prisni prej fidanëve të vegjël.

Zgjidhni vendin e mbjelljes

Rigoni është një bimë që kërkon dritën e diellit.

Nëse jetoni në vende me klimë të ftohtë, atëherë AgroWeb.org ju sugjeron të mbillni rigonin brenda në shtëpi dhe ta nxirrni jashtë kur moti të jetë ngrohur mjaftueshëm.

Rigoni rritet mirë në tokë me plehërim mesatar, ndaj nuk ka nevojë që të shtoni pleh ose fertilizues shtesë.

Fillimi i hershëm gjysma e punës

AgroWeb.org ju sugjeron që të mbillni rigonin 6 deri në 10 javë përpara ngricës së fundit të pranverës.

Në zonat më të ftohta ose gjatë dimrit, rigonin duhet ta mbështillni me mbulesë plastike ose me një shtresë bari të thatë.

Mbilleni rigonin

Farat ose fidanët e vegjël duhen mbjellë deri në 0.70 cm thellë nën dhé.

Duhet të kini durim teksa prisni që bima të lëshojë rrënjë dhe të nisë të çelë, sepse rigoni kërkon kohën e vet.

Por, nëse e mbillni në ambiente të brendshme, atëherë farat do të duan më pak kohë që të lulëzojnë.

Bima nis të çelë 8-10 ditë nga mbjellja nën dhé. Por rigoni mund të çelë edhe më vonë, në varësi të faktorëve të ndryshëm siç janë cilësia e dheut, drita e diellit dhe ujitja.

Rigoni kërkon ujitje mesatare

Ndryshe nga bimët e tjera, rigoni nuk kërkon shumë ujë.

Mjafton të prekni dheun në vazo që të kuptoni nëse ka nevojë për ujë apo jo.

Nëse dheu është i thatë, atëherë duhet ta ujisni pa u kursyer por as duke e tepruar.

Krasitja është e nevojshme

Krasitja e degëve të rigonit është e nevojshme sepse inkurajon rritjen e tufave të dendura. Prisni sa bima të jetë deri në 10 centimetra e lartë dhe përdorni gërshërët për ta krasitur lehtë.

Këputja e rigonit

Rigoni mund të përdoret i freskët direkt e nga kopështi ose nga vazoja.

Duhet ta lani përpara se ta përdorni për të larguar papastërtitë, insektet dhe bakteret. Më pas thajeni me një napë ose lëreni të thahet natyralisht.

Rigoni konsiderohet plotësisht i rritur përpara se të lulëzojë, gjë që ndodh zakonisht në muajt qershor dhe korrik.

Rigonin këputeni herët në mëngjes pasi ka dalë dielli dhe ka avulluar vesa.

Përdorni gërshërë për të marrë tufat e duhura, por mos i prisni deri në rrënjë. Tufat lidhini me llastik./AgroWeb.org