Bizelet – Si t’i Zgjidhni, Ruani, Pastroni dhe si t’i Gatuani më së Miri

1.9k 0

Të gjithanshme dhe të shijshme, bizelet janë kryefjala e kuzhinës në pranverë.

Nga prilli deri në maj, në tezgat e tregut mund të gjeni bizele të freskëta.

Një ushqim që përmban pak yndyrë e kalori, dhe shumë të pasura me vitamina, minerale e proteina.

Bizelet mund të përgatiten në mënyra të ndryshme, duke krijuar pjata të thjeshta dhe të shijshme që kënaqin më së miri shijen tuaj.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me disa këshilla dhe mënyra të thjeshta të përgatitjes së tyre.

Si t’i zgjidhni dhe si t’i pastroni bizelet

Kur blini bizele të freskëta, kontrolloni bishtajat. Ato duhet të jenë të shndritshme dhe kur t’i shtypni, të shoqërohen me kërcitje. Kjo është një shenjë që tregon se produkti është i freskët.

Pasi t’i qëroni nga lëvorja, mund t’i konsumoni të gjalla ose t’i gatuani sipas dëshirës.

Si t’i gatuani

Ju mund t’i zieni në ujë me kripë, për rreth 15 minuta. Pasi të jenë gati, kullojini, hiqni lëvoren që i mbulon dhe përdorni në gatimet tuaja.

Ose mund t’i skuqni në një tigan, duke krijuar kështu një pjatë të mrekullueshme për gatimet me mish ose peshk.

Për sa i përket bizeleve të thata, duhet t’i njomni para se t’i konsumoni.

Nëse kanë lëkurë, duhet t’i lini në ujë për rreth 20 orë.

Ndërsa për bizelet e thata dhe të qëruara, mjafton t’i lini në ujë për 8 orë dhe më pas mund t’i përdorni.

Por në rast se keni bizele frigoriferi, përgatitja është shumë më e shpejtë.

Vendosni direkt në enën e gatimit dhe do të shkrihen falë nxehtësisë, duke ruajtur shijen dhe vetitë ushqyese.

Si t’i ruani

Bizelet e freskëta të papërpunuara mund të ruhen në frigorifer për 2-3 ditë, ose derisa bishtaja të jetë ende krokante.

Ndërsa bizelet e thata, mund të ruhen në një enë hermetike për disa muaj, në një vend të freskët.

Receta të thjeshta dhe të shijshme

Supë – Në cilën do formë t’i kini, ju mund të përgatisni gjithmonë një supë të shijshme.

Gjellë me mish – Për këtë, mjafton të skuqni mishin dhe qepën në një tigan me pak vaj. Shtoni aty bizelet, kripën, piperin dhe kuardisini për disa minuta. Hidhni ujë të nxehtë dhe ziejini në zjarr mesatar për gjysmë ore.

Makarona me bizele – Fillimisht skuqni qepën në vaj. Shtoni bizelet më pas dhe gatuajini për rreth 5 minuta. Hidhni ujë, kripë dhe piper dhe lërini në zjarr edhe 10 minuta. Shtoni edhe disa domate qershi dhe gatuajini edhe për 5 minuta të tjera.

Ndërkohë zieni makaronat në ujë të bollshëm me kripë dhe kur të jenë gati kalojini në enën me bizele duke i trazuar. Spërkatini me pak piper dhe shërbejini të nxehta./AgroWeb.org