Limoni i Artë – Fruti i Vërtetë i Jetëgjatësisë

2.5k 0

Nëse ekziston një frut sublim që nuk del asnjëherë nga moda, ai është padyshim limoni. Arsyet për ta dashur këtë frut janë të shumta.

E vërteta është që jeta nuk ka kuptim pa shijen e limonit, e ëmbël ose e thartë qoftë ajo. Nëse jeni në kërkim të arsyeve përse limoni është një frut i domosdoshëm për ne, jeni në vendin e duhur pasi AgroWeb.org do t’ju shoqërojë mes shumë faktesh kurioze.

Në fund të tekstit të këtij lajmi do të gjeni një material të shkurtër ilustrues mbi vlerat e këtij fruti special.

Uji me limon. Është shkencërisht e pranuar që të pish ujë me limon me stomakun bosh është një zakon prej të cilit organizmi i njeriut përfiton shumë.

Së pari, ky ujë me limon të hidraton. Limoni ndihmon në tretje, lufton stresin dhe mbron mëlçinë. Nëse vuan nga era e keqe e gojës, duhet të konsumosh limon për freski të gjatë.

Por sidoqoftë, pas çdo gote me ujë me limon, duhet të pish pak ujë të pastër që të mbrosh gojën nga aciditetet.

Limoni në sallatë. A e imagjinoni dot sallatën pa limon dhe vaj ulliri, sidomos atë të një cilësie të mirë? Të dy i japin sallatës një shije të jashtëzakonshme.

Receta për t’i dhënë shije sallatës është tre lugë vaj ulliri me gjysëm limoni. Mos u kufizoni në kombinimin e këtij lëngu të shijshëm me qepët, hudhrat dhe erëzat.

Limoni në ushqim. Çfarë shije do të kishte supa apo peshku pa limon? Ata që nuk e kanë qejf limonin, e kanë dhënë tashmë një përgjigje.

Të tjerët, e dinë mirë që limoni i jep gatimeve atë shijen ekstra të veçantë, ndaj mos hezitoni ta përdorni në gatimet tuaja të përditshme.

Çaj me limon dhe xhinxher. Ky çaj pak djegës është fantastik, plot me vitaminë C dhe me elementë anti bakterialë dhe anti inflamatorë.

Është i jashtëzakonshëm për të luftuar virozat dhe gripin. Nëse dëshiron t’i shtosh ëmbëlsi, përdor mjaltin, atë cilësorin që lufton mikrobet.

Lëkurat e limonit. Janë pjesa më e shëndetshme e këtij fruti. Lëkura e verdhë përmban elementin e mrekullueshëm të limonenës që është e mbushur me antioksidantë dhe ka vlera të shumta.

Mbron perimet nga nxirja. E keni vënë re sa shpejt nxihen perimet dhe frutat pasi janë prerë? Zgjidhja është e thjeshtë.

Shtrydhni lëng limoni mbi fruta dhe perime dhe acidi citrik do të parandalojë nxirjen e tyre. Ky proces zgjat disa orë, por aq mjaftojnë që mysafirët e shtëpisë të largohen me një përshtypje të mirë.

Të tillë janë limonët, i do ose jo të zgjidhin shumë punë./AgroWeb.org