Pjeprat e Parë në Treg – Të Ëmbël me Vlera të Arta

990 0

Është një nga frutat shqiptare më të kërkuara nga tregjet e huaja.

Përveç perimeve, pjepri dhe shalqini konkurrojnë fort me mandarinën për vendin e parë të eksporteve të produkteve të freskëta të tokës shqiptare.

Me ëmbëlsinë e vet karakteristike, pjepri shqiptar duket sikur përmbledh të gjithë nxehtësinë mesdhetare të vendit dhe të magjeps shijen.

Por vetëm shqiptarët e duan të ëmbël dhe të pjekur mirë.

Ndërsa evropianët e preferojnë të papjekur plotësisht fiks para se tuli i artë të marrë ëmbëlsinë maksimale.

Dhe meqë eksportet mbretërojnë tregun, edhe pjeprat shqiptarë kanë nisur të mblidhen dhe të dalin në treg edhe pse për gustot e shqiptarëve ëmbëlsia e tanishme është shumë larg shijes së pjeprit të korrikut.

Çmimi? Ende i lartë, kilogrami i pjeprit vendas në treg kushton nga 200-250 lekë, shumë larg vlerave të pjeprit në kulmin e sezonit alla shqiptar, pasi për tregjet evropiane piku i sezonit ka filluar që tani.

Në kulmin e sezonit veror, pjepri kap çmime jo më pak se 10 herë më lirë se çmimi aktual.

Përllogaritet që në vendin tonë mund të kultivohen mbi 1600 hektarë me pjepër sidomos në zonën e Ulët dhe Bregdetare të Shqipërisë, ku ligjin e bëjnë sipërfaqet e Lushnjës dhe Divjakës.

Eksportet në Tregun Evropian

Shqipëria ofron kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e tij në fushë dhe në mjedise të mbrojtura, çka e rrit kërkesën e tij në tregun evropian.

“Eshtë e vërtetë që në tregun evropian kërkohet pjepri i hershëm. Eshtë çështje preferencash dhe shijesh”, thonë për AgroWeb.org, eksportuesit shqiptarë që nxisin fermerët të konsiderojnë që të kenë një prodhim më të hershëm të pjeprit, për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.

“Tregu dikton në një farë mënyre prodhimin tonë. Nëse moti është i mirë dhe i ngrohtë, ne e kemi pjeprin gati për ta nxjerrë në treg që në fillim të sezonit.

Duke qenë se ne e kemi pjepër fushe, ndikohemi shumë nga moti”, thotë për AgroWeb.org, Lumi Kruti, një kultivues i kësaj kulture.

Vlerat për organizmin

Pjepri është shumë i pasur me kalium, një mineral thelbësor për sistemin nervor që u jep nervave forcë për të përcjellë sinjalet e nevojshme që mbajnë në formë trurin.

Për më tepër, kaliumi jep një kontribut fantastik për indet dhe kockat, lufton spazmat e muskujve dhe ul tensionin e gjakut.

Pjepri përmban edhe një sasi të madhe beta karoten, që i jep frutit ngjyrën karakteristike.

Qelizat e transformojnë beta karotenin në një formë aktive të vitaminës A e cila punon fort për t’i kthyer lëkurës shkëlqimin e munguar, mbështet sistemin imunitar dhe forcon mbarëvajtjen e qelizave.

Vlerat mbeten njëlloj, ndërsa prodhimi varion nga viti në vit, sipas kërkesave të tregut.

Por ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit e kërkojnë pjeprin tonë pak të papjekur, por të ëmbël në fitime për kultivuesit shqiptarë./AgroWeb.org